Haradinaj: Vendimi i Speciales është i padrejtë, kjo Gjykatë po ndjek vetëm shqiptarët

Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale.
Ai e ka cilësuar procesin si një ngjarje shokuese dhe thellësisht të padrejtë për vendin.
“E kemi përcjellë vendimin dhe procesin në zyrat e Aleancës me një numër të madh të kolegëve, ka qenë një ngjarje shokuese për keq,” deklaroi Haradinaj, duke shtuar se reagimi i tij ndaj këtij dënimi ka qenë i menjëhershëm.
“Vendimi me dënim është i papranueshëm; është i padrejtë. UÇK ka bërë luftë çlirimtare, nuk është në emrin tim ky dënim, nuk është në emër të popullit të Kosovës.”
Më tej, Haradinaj theksoi se nga ai mllef që e ka secili, buron edhe thirrja e sinqertë për ta ruajtur vendin.
Ai ngriti kritika të ashpra duke thënë se kjo gjykatë po ndjek vetëm shqiptarët.
“Kjo gjykatë nuk ndjek kryesit e krimeve për masakrat e shumta që kanë ndodhur në Kosovë, por ndjek shqiptarët,” u shpreh ai në Kanal 10.

Lexo edheLimaj kritikon aktgjykimin në Hagë: A janë gjykuar individët apo pozitat e tyre në UÇK?
Sipas tij, vetë fakti që kjo gjykatë është zhvendosur jashtë vendit shfaq një mesazh negativ për shtetin:
“Një gjykatë që zhvendoset nga Kosova është shprehje e mosbesimit me Kosovën.”
Në mbyllje, Haradinaj u shpreh se mbështet zbardhjen e të vërtetës, por vuri në dyshim parimet mbi të cilat funksionon ky institucion që nga fillimi. “
Jam për zbardhje të vërtetës për vendosje të drejtësisë, por kjo që në start nuk ka qenë, parimet e kësaj Gjykate janë të diskutueshme,” përfundoi ai.












