Vuçiç njofton dorëheqjen: Largohem më 27 shtator

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti më 27 shtator. Ai tha se gjatë mbrëmjes së asaj dite do t’u drejtohet qytetarëve për t’i falënderuar për mbështetjen gjatë viteve të tij në detyrë.
“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen”, deklaroi Vuçiç gjatë një interviste për televizionin “Pink”.
Vuçiç u shpreh se ka shërbyer me përkushtim ndaj Serbisë dhe qytetarëve të saj, duke theksuar se ka qenë presidenti që ka qëndruar më gjatë në këtë post që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vend.
Gjatë intervistës, presidenti serb foli edhe për protestat studentore dhe Listën Studentore, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë politikisht ish-kreu i Partisë Demokratike, Bojan Pajtiç, dhe ish-zëvendëspresidenti i saj, Dushan Petroviç.
Ai përsëriti gjithashtu pretendimet e tij se historia për përdorimin e një “topi zanor” gjatë protestës së 15 marsit 2025 në Beograd ishte e sajuar. Sipas Vuçiçit, edhe regjistrimi audio i publikuar në lidhje me këtë ngjarje ishte manipuluar për të krijuar përshtypjen e përdorimit të një pajisjeje të tillë.

Lexo edhePërparim Gruda akuzon Armend Mujën se gënjeu publikisht për analizat e qumështit Vita: Në një vend normal kish shku në burg
Vuçiç akuzoi gjithashtu persona që, sipas tij, kanë organizuar nga jashtë një “revolucion” në Serbi, duke pretenduar se synimi i tyre ishte thellimi i përçarjeve shoqërore dhe destabilizimi i vendit, deri në rrezikun e një konflikti civil.
Njoftimi për dorëheqjen vjen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ku protestat studentore dhe përplasjet mes pushtetit dhe opozitës kanë vijuar prej muajsh.
Pak ditë më parë, Vuçiç firmosi dekretin për shpërndarjen e Parlamentit dhe caktoi 25 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.












