“Nga udhëheqës në pjesëmarrës në NPK” – Bajraktari vë në pikëpyetje provat e Prokurorisë

Avokati Ardian Bajraktari ka publikuar një analizë lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke argumentuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka arritur të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale” dhe pjesëmarrjen individuale të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Bajraktari thekson se ekzistenca e krimeve, pozitat drejtuese apo autoriteti politik e ushtarak i të akuzuarve nuk janë të mjaftueshme për të dëshmuar një qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas tij, Prokuroria do të duhej të provonte konkretisht qëllimin kriminal, pjesëmarrjen e secilit të akuzuar, kontributin e tyre në realizimin e këtij qëllimi dhe nivelin përkatës të fajësisë.
“Prova e një strukture politike/ushtarake ose e autoritetit të një personi nuk është e barabartë me provën e një qëllimi të përbashkët kriminal”, shkruan Bajraktari.
Ai vlerëson se fokusi i ZPS-së është mbështetur kryesisht në pozitën, reputacionin, kontaktet dhe autoritetin e katër të akuzuarve, pa krijuar lidhjen e nevojshme me një qëllim konkret kriminal.
“Ekziston një problem serioz në kalimin nga ‘udhëheqës’ në ‘pjesëmarrës në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”, thekson ai.

Lexo edheÇitaku kritikon Kurtin: Ka problem me mungesën e rolit të tij në histori
Bajraktari argumenton se përgjegjësia penale është individuale dhe se, edhe nëse do të konstatohej ekzistenca e një NPK-je, kjo nuk do të nënkuptonte automatikisht fajësinë e të gjithë të akuzuarve.
Në fund, ai shprehet se, nëse këto elemente nuk janë provuar nga Prokuroria, pritjet për rrëzimin e akuzave për NPK dhe një verdikt lirues për katër ish-krerët e UÇK-së janë, sipas tij, “të bazuara dhe legjitime”. /Lajmi.net/












