Vrau gruan me dy plumba në mes të rrugës, 70-vjeçari dënohet me burgim të përjetshëm në Itali

Një 70-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm në Itali, pasi vrau bashkëshorten e tij me dy të shtëna me armë zjarri në mes të rrugës, në Lettomanoppello, në provincën e Peskarës.
Mediat italiane shkruajnë se, Antonio Mancini u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes, Cleria Mancini, ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë.
Gjykata e Krimeve të Rënda në Chieti vendosi gjithashtu që ai të vuajë dy muaj izolim gjatë ditës, krahas dënimit me burgim të përjetshëm. Prokurorja kishte kërkuar dënimin maksimal, pasi gjatë fjalës përfundimtare kishte rindërtuar rrethanat e ngjarjes.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të kërkuar nga mbrojtja dhe të caktuar nga gjykata, Mancini kishte aftësi të plotë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij në momentin e vrasjes.
Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, gjykata vendosi përjashtimin e tij të përhershëm nga ushtrimi i funksioneve publike, vendosjen në gjendje të ndalimit ligjor dhe heqjen e përgjegjësisë prindërore.

Lexo edheGoditet rrjeti i kokainës drejt Evropës, 21 të arrestuar në Ekuador, mes tyre dy policë
I dënuari, i cili aktualisht ndodhet në burg, ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, i shoqëruar nga avokati i tij.
Gjykata e detyroi Mancinin të dëmshpërblejë palët civile për dëmet e shkaktuara, ndërsa shuma përfundimtare do të përcaktohet në një proces të veçantë. Ndërkohë, janë caktuar paraprakisht dëmshpërblime në vlerën totale prej 250 mijë eurosh.
Gjykata vendosi gjithashtu t’i përcjellë aktet prokurorisë për vlerësimin e veprimeve të mëtejshme lidhur me akuzat për përvetësimin e paligjshëm të një sendi dhe mbajtjen e armës së zjarrit. Arsyetimi i plotë i vendimit pritet të depozitohet brenda 90 ditëve.














