Vrasja që tronditi Podujevën/Apeli shtyn seancën ndaj Arsim Sylës

Gjykata e Apelit e ka shtyrë seancën e 28 tetorit ndaj Arsim Sylës, i dënuar me 22 vjet burgim për vrasjen e Valmir Breznicës në një supermarket në Podujevë. Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e përfaqësimit ligjor të palës së dëmtuar, e cila ende nuk ka angazhuar avokat të ri.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Skender Qoqaj, ka bërë të ditur se gjykata kishte kontaktuar me palët e dëmtuara, të cilat kishin shprehur interesim të madh për të marrë pjesë në seancë.
Megjithatë, avokatit që i përfaqësonte më herët u është marrë licenca nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), ndërsa deri më tani nuk është angazhuar një përfaqësues i ri ligjor.
Për më tepër, gjykata ka bërë të ditur se ankesa e paraqitur në emër të palës së dëmtuar ishte hedhur poshtë si e palejuar, pasi avokati që e kishte ushtruar nuk posedonte licencë të vlefshme.
Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Arsim Sylës, nuk e ka kundërshtuar vendimin për shtyrjen e seancës, duke vlerësuar se palës së dëmtuar duhet t’i mundësohet ushtrimi i të drejtave të saj.
“Ata kanë të drejtë të dëgjohen, sado që u nevojitet kohë, sepse vendimi në fund, pa iu siguruar palës së dëmtuar mbrojtja, nuk mund të jetë as i drejtë dhe as i ligjshëm. E mirëpres vendimin e këtij kolegji”, ka deklaruar Berisha.
Ngjarja për të cilën akuzohet Arsim Syla ndodhi më 11 shtator 2023, në supermarketin “Interex” në Podujevë, ku mbeti i vrarë 34-vjeçari Valmir Breznica.
Në momentin e sulmit me armë zjarri, Breznica ndodhej bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tyre katërvjeçar. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arsim Syla dyshohej se kishte nxitur djalin e tij të mitur, Lordi Syla, që ta vriste Breznicën për motive hakmarrjeje, pas një konflikti të mëhershëm.

Lexo edheDeklarimi i Jeton Sylajt para Gjykatës: Ndiej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj
Prokuroria pretendon se Arsim Syla e kishte orientuar të birin drejt viktimës, ndërsa i mituri kishte shtënë disa herë me armë zjarri.
Arsim Syla i ka mohuar akuzat, duke kundërshtuar pretendimet se kishte planifikuar apo nxitur vrasjen.
Më 26 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor Arsim Sylën dhe e dënoi me 22 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku, me anëtarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti.
Në dënimin e shqiptuar iu llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim.
Pas ankimimit të aktgjykimit, rasti kaloi në Gjykatën e Apelit. Megjithatë, shqyrtimi i çështjes nuk mundi të vazhdonte më 28 tetor, për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor të palës së dëmtuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












