Musliu kërkon drejtësi për Arlinda Zekajn: Askush nuk duhet të flej i qetë nëse ka dështuar ta mbrojë një jetë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka shkruar për vrasjen e Arlinda Zekajt nga kunati i saj në Pejë.
Ajo ka thënë se Arlinda nuk është pronë e askujt dhe as vdekja e saj nuk mund të shndërrohet në mjet për të përjashtuar zërat e tjerë nga kërkesa për drejtësi.
“Protesta është e qytetarëve. Është e secilit që beson se jeta e një gruaje vlen më shumë se deklaratat, fjalimet dhe lotët e derdhur para kamerave. Por, nëse nesër kërkojmë llogaridhënie nga institucionet, duhet të jemi të parët që e mbrojmë të drejtën e secilit qytetar për të kërkuar llogari. Askush nuk duhet të ketë privilegjin ta përvetësojë dhimbjen, por as askush nuk duhet të përjashtohet nga protesta vetëm për shkak të përkatësisë politike”, ka thënë Musliu.
Ajo ka thënë se nuk merr pjesë në protestë për të mbrojtur një parti, por shkon për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që e mbrojnë jetën.
“Nëse ka pasur neglizhencë, shpërfillje të rrezikut apo dështim institucional, duhet të ketë hetim të paanshëm, përgjegjësi konkrete dhe masa ligjore ndaj secilit që ka dështuar në detyrën e tij. Jo vetëm premtime. Jo vetëm deklarata. Veprime! Asnjë parti nuk ka të drejtë ta privatizojë dhimbjen e Arlindës. Por asnjë organizator nuk ka të drejtë ta privatizojë revoltën e qytetarëve”, ka shtuar Musliu.

Lexo edheSulmohet një person zyrtar në QKUK pas një fjalosjeje, i dyshuari arratiset
Ajo ka thënë se drejtësia nuk ndërtohet me ultimatume ndaj qytetarëve, kërcënime për konfrontim apo me ndarje mes atyre që duhet të jenë bashkë, por sipas saj ndërtohet duke e drejtuar revoltën aty ku duhet: te përgjegjësia e atyre që kanë pasur detyrë ta mbrojnë jetën.
“Arlinda meriton drejtësi. Familja e saj meriton përgjigje. Çdo grua në Kosovë meriton të jetojë pa frikë. Dhe askush nuk duhet të flejë i qetë nëse ka dështuar ta mbrojë një jetë njerëzore. Jo për interesa partiake. Jo për protagonizëm. Por për drejtësi! Sepse jeta e grave nuk është çështje e një partie, e një organizate apo e një proteste. Është përgjegjësi e gjithë shtetit dhe e gjithë shoqërisë”, ka shtuar Musliu. /Lajmi.net/












