Rama: Siguria në Kosovë është stabile, shqetësuese mbetet lufta hibride e Serbisë

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por ka shprehur shqetësim për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe luftën hibride në rajon.
Këto deklarata i bëri pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti para Komisionit.
Ai ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përfshirë kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike.
“U informuam për situatën e sigurisë, sidomos kërcënimet që mund të vijnë edhe që janë permanente nga ana e Serbisë, që realisht gjithë jemi ë të shqetësuar me këtë çështjen e e luftës hibride që po ndodhin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion dhe më gjerë, dhe diskutuam edhe morëm informacione për situatën e sigurisë edhe këtu, por edhe më gjerë, në nivelin, po mendoj në nivelin rajonal, por edhe global”, tha Rama.
Deputeti i PDK-së ka bërë të ditur se anëtarët e Komisionit kanë parashtruar pyetje dhe kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur AKI-në në përmbushjen e detyrave të saj.
“Bëmë disa pyetje, domethënë që janë legjitime, që ne shprehëm gatishmërinë që edhe drejtori dhe agjensioni tonë t’i shprehëm përkrahje dhe çdo nevojë dhe çdo mundësi që e kemi që të jemi sa më të sigurtë edhe si vend, por edhe ta ketë përkrahjen tonë, jo në diçka nga gjë”, tha ai.

Lexo edheRasti i Muhamet Likës: Dëshmitari i dytë rrëfen çfarë ndodhi para dhe pas vras**es së policit në Kaçanik
Rama ka vlerësuar se, pavarësisht kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike, situata e sigurisë në vend mbetet stabile.
“Po vlerësimet që janë përveç këtyre luftës hibride, sulmet kiberentike, domethënë llogaritet që situata në Kosovë është stabile, sa i përket sigurisë. Po, realisht edhe në pjesën veriore sundon ligji, rendi dhe jemi në rrugë, nuk kemi ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm”, shtoi.
Të martën, drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së në një mbledhje të mbyllur për publikun. Mediat janë lejuar të marrin pamje në fillim të mbledhjes, ndërsa pjesa tjetër e saj është zhvilluar me dyer të mbyllura.












