Detaje të reja nga gërmimet në veri, ku u gjeten mbetje mortore

Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme institucionale për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, dje, më 27 tetor, me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL) – Sektori për Personat e Zhdukur, ekipet mjeko-ligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore (IML), përfshirë ekspertët e EULEX-it, kanë realizuar gërmimet vlerësuese në një lokacion brenda hapësirës së varrezave të qytetit të Mitrovicës së Veriut, më saktësisht lokacion i njohur si “Varrezat e besimtarëve myslimanë”.
Gërmimet e realizuara më 27 tetor, janë vazhdimësi e aktiviteteve vlerësuese të filluara në këtë lokacion më 20 tetor, transmeton IndeksOnline.
Këto veprime janë ndërmarrë në zbatim të urdhrit të Gjykatës, pas kërkesës së iniciuar nga Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përmes Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte.
Bëhet e ditur se, gjatë gërmimeve të realizuara më 27 tetor, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore (eshtërore) me interes mjeko-ligjor, të cilat mund t’u përkasin viktimave të luftës.

Lexo edheMinistria për Punë e Familje njofton se janë procesuar pagesat e asistencës sociale për tetorin
Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore për ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, përfshirë edhe analizat e ADN-së, me qëllim të përcaktimit të identitetit.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Institutin për Mjekësi Ligjore, Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe institucionet e angazhuara në këtë proces, mbetet i përkushtuar në trajtimin dhe adresimin me prioritet të çdo informacioni që mund të kontribuojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë” thuhet në njoftim.












