Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ku një person mashkull ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me një armë të ftohtë – thikë. Në të njëjtin incident, është plagosur edhe vëllai i tij.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili, me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, është dërguar në mbajtje, transmeton lajmi.net.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Komunikata e plotë:
Vrasje e rëndë në Mitrovicë, një i vdekur dhe një i plagosur – arrestohet i dyshuari
Mitrovicë, 28 maj 2026 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij.
Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari dhe, me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, i njëjti është dërguar në mbajtje.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, brenda afatit të paraparë ligjor, për të dyshuarin do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit./lajmi.net/