Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, votat e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm, madje vendimtar, në disa komuna të Kosovës.
Sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, përqindja e lartë e votuesve nga diaspora në disa komuna më të vogla mund të ndikojë drejtpërdrejt rezultatin për kryetar komune dhe për përbërjen e asambleve komunale, transmeton lajmi.net.
Në mesin e 10 komunave me përqindjen më të lartë të votuesve jashtë vendit në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, nuk përfshihet asnjë nga komunat e mëdha. Komunat me përqindjet më të larta janë:
-
Juniku (21.95%)
-
Malisheva (10.59%)
-
Mamusha (8.64%)
-
Hani i Elezit (6.67%)
-
Istogu (5.51%)
-
Dragashi (5.34%)
-
Deçani (5.30%)
-
Kaçaniku (4.15%)
-
Kamenica (3.87%)
-
Shtimja (3.53%)
Cakolli thekson se në pothuajse secilën nga këto komuna, por edhe në shumë të tjera, numri i votuesve të regjistruar jashtë vendit është më i madh – ose i përafërt – me diferencën mes dy kandidatëve të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, çka e rrit peshën e votës nga diaspora në balancat elektorale lokale.
Përveç kësaj, ai përmend edhe faktin që numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit ka arritur në mbi 2 milion (2,069,098) – që është gati 100 mijë më shumë krahasuar me listën zgjedhore të 9 shkurtit.
Ky rritje, së bashku me përqindjen e konsiderueshme të votuesve nga jashtë, e bën votimin jashtë vendit një faktor kyç që mund të vendosë fatin politik të shumë komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale./lajmi.net/