Kosova rrezikon të mbetet e varur nga ndihmat sociale

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kërkuar që zhvillimi ekonomik, mbështetja e sektorit privat dhe prodhimi vendor të jenë prioritetet kryesore të institucioneve të reja të Kosovës, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të mbetet i varur nga ndihmat sociale nëse nuk krijon kushte për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm, raporton Ekonomia Online.
Gërxhaliu ka thënë se pas formimit të institucioneve të dala nga vota, Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum për të rikthyer besimin e bizneseve, për të tërhequr investime dhe për të krijuar një politikë më të unifikuar në shërbim të zhvillimit ekonomik.
Ai ka theksuar se prioritet duhet të jetë krijimi i kushteve për bizneset vendore dhe investitorët nga diaspora, duke vlerësuar se vendi nuk mund të mbështetet vetëm te ndihmat sociale.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që nuk i bëhet nder Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në qoftë se të gjithë trajtohen si raste sociale. Ka nevojë Kosova për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe ai zhvillim i qëndrueshëm ekonomik të jetë garant i stabilitetit social. Nuk jetohet nga ndihma, jetohet nga zhvillimi dhe në këtë drejtim besoj që është koha kur duhet të kemi prioritet në rend të parë mbështetjen e sektorit privat, në rend të dytë sektorin prodhues, në rend të tretë reforma në arsim, në veçanti në arsimin dual dhe profesional. Mbi të gjitha, të kemi një dialog të mirëfilltë që do ta mbështesë sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik, dhe jo Kosova të shndërrohet në një shtet të varur nga ndihma sociale”, shtoi ai.
Sipas Gërxhaliut, një nga sfidat kryesore mbetet rikthimi i besimit për investime në Kosovë dhe shfrytëzimi i potencialit financiar të diasporës.
“Barazia në varfëri është më e keqja që i ndodh një shteti dhe këtë Kosova duhet ta evitojë. Duhet të kthehet besimi i humbur për investime në Kosovë. Ne nuk duhet të presim që do të vijnë vetëm investitorë të huaj, por në radhë të parë ne duhet të krijojmë ambient për bizneset vendore. Ne duhet të kemi pako të veçanta për diasporën, sepse vetëm në hapësirën gjermanofolëse diaspora kosovare ka miliarda të deponuara. Prandaj janë këto mundësi që duhet të shfrytëzohen dhe, mbi të gjitha, të evitohet perceptimi negativ i krijuar në Kosovë dhe ndaj Kosovës në vitet e fundit, sepse vërtet ky negativitet po e ngulfat perspektivën dhe ardhmërinë e Republikës së Kosovës në çdo pore të jetës”, tha ai.

Ai ka vlerësuar se vitet e fundit Kosova nuk i ka shfrytëzuar sa duhet mundësitë për të përfituar mjete nga Bashkimi Evropian dhe donatorët e tjerë, duke paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja ekonomike edhe në të ardhmen.

Lexo edheBanorët ankohen për gropa dhe papastërti në rrugën “Muharrem Fejza”, problemi po vazhdon prej një muaji
“Ajo çka është më e rëndësishmja për ardhmërinë e Kosovës është uniteti politik që Kosovës i ka munguar. E dyta është avancimi i partneritetit me miqtë ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me shtetet evropiane. Ajo çka është prioritet, duhet definitivisht ekonomia të jetë prioritet i prioriteteve, sepse vitet e fundit kemi pësuar një debakël ekonomik nga fakti që kemi pasur parametra ekonomikë dhe, në të njëjtën kohë, nuk kemi shfrytëzuar mundësi për të absorbuar mjete nga Bashkimi Evropian dhe donatorë të ndryshëm dhe për këtë vërtet do të paguajmë një kosto kolaterale në të ardhmen”, theksoi ai.
Gërxhaliu ka kërkuar gjithashtu reforma në arsim, veçanërisht në arsimin dual dhe profesional, si dhe një dialog më të mirë ndërmjet institucioneve qendrore e lokale, sektorit privat dhe partnerëve socialë.
Ai ka theksuar se zhvillimi ekonomik kërkon bashkëpunim institucional dhe diplomaci të orientuar drejt interesave të shtetit, qytetarëve dhe diasporës.
“Janë sfida të cilat kërkojnë një dialog të mirëfilltë, por definitivisht është koha kur duhet të kthehet shpresa e humbur se Kosova mund të funksionojë si shtet, Kosova ka një vizion dhe definitivisht partneriteti, dialogu intern duhet të jetë në shënjestër pozitive. Vitet e fundit ka pasur mangësi të dialogut dhe partneritetit publiko-privat, ka pasur një ngërç në aspektin e dialogut, do të thotë nga niveli qendror në atë lokal, ka pasur ngërç në aspektin e komunikimit të akterëve dhe partnerëve socialë, prandaj janë sfida të cilat duhet vërtet të jenë prioritet. Dhe, mbi të gjitha, të kemi një diplomaci, qoftë politike, qoftë ekonomike, të depolitizuar, diplomaci e cila është në funksion të shtetit, në funksion të qytetarëve, në funksion të diasporës dhe jo në funksion të promovimit të interesave të partive politike”, tha ai.
Në fund, Gërxhaliu ka vlerësuar se formimi i institucioneve të reja duhet të shërbejë si mundësi për tejkalimin e përçarjeve politike dhe për orientimin e vendit drejt zhvillimit ekonomik.
“E para, e mira që ka ndodhur Kosovës është që më në fund kemi institucione të dala nga vota, të miratuara dhe funksionale në interes të shtetit dhe të qytetarëve. Nuk duhet të bëhet garë se kush ka fituar me zgjedhjen e presidentes, por duhet të kuptohet që fitues të vetëm janë qytetarët e Kosovës dhe Republika e Kosovës. Në këtë drejtim nuk kemi arsye për eufori, sepse dëmet e një mos-ekzistimi dhe mosfunksionimi të institucioneve ndër vite kanë lënë gjurmë dhe do të lënë gjurmë edhe në të ardhmen. Është koha kur duhet vërtet Kosova të gjenerojë unifikim të qëndrimeve, një politikë unike, sepse vitet e fundit kanë qenë vërtet shqetësuese, me një përçarje, me një ndarje, e cila ka lënë gjurmë jo vetëm në aspektin politik, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në aspektin social dhe motivues. Prandaj, është një momentum i ri i cili duhet të shfrytëzohet dhe ky momentum duhet të jetë i orientuar në disa segmente”, përfundoi ai.












