Kallas: BE-ja nuk do ta ulë presionin ndaj Rusisë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka kundërshtuar lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës ruse, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do t’i siguronte Moskës më shumë të ardhura për të financuar luftën në Ukrainë.
Përmes një reagimi në platformën X, Kallas theksoi se Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës dhe aktivitetet hibride kundër vendeve evropiane dhe aleatëve të NATO-s.
“Sulmet ruse kanë vrarë më shumë se 80 civilë ukrainas brenda vetëm dy ditëve. Për më tepër, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj hibride kundër Evropës, si ndaj vendeve anëtare të BE-së, ashtu edhe ndaj aleatëve të NATO-s. Pezullimi i sanksioneve për naftën dizel ruse i siguron Moskës më shumë të ardhura për të financuar luftën”, deklaroi Kallas.
Ajo bëri të ditur se Bashkimi Evropian nuk do ta ulë presionin ndaj Kremlinit, pavarësisht raportimeve për një marrëveshje mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, lidhur me lehtësimin e masave ndaj eksporteve ruse të naftës.

Lexo edheKreu i Listës Serbe pretendon se ka kaluar në SNS-në e Vuçiqit: S’jam më deputet në Kuvend të Kosovës
Kallas njoftoi gjithashtu se ministrat e Jashtëm të BE-së synojnë të miratojnë të hënën një paketë të re sanksionesh të synuara kundër strukturave ushtarake ruse.
“Ky nuk është momenti për të ulur presionin mbi Rusinë dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, theksoi ajo, duke e cilësuar paketën e paralajmëruar si më të madhën e këtij lloji që nga fillimi i luftës në Ukrainë.












