Von der Leyen nis nga Tirana turin në Ballkanin Perëndimor, takime me Begajn dhe Ramën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, duke nisur nga Shqipëria turin e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Von der Leyen do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Pas takimit me Ramën, në orën 17:30 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian do të vijojë më 1 tetor në Kosovë, ku do të takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti.
Po më 1 tetor, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku në agjendë janë takimet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.
Ndalesa e fundit e turit do të jetë Maqedonia e Veriut, të premten. Atje, presidentja e Komisionit Evropian do të zhvillojë takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Në këtë itinerar nuk janë përfshirë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Sipas njoftimit, vizitat në këto dy vende nuk janë parashikuar për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.

Lexo edheParashikimi i motit për të mërkurën
Në qendër të vizitës së Von der Leyen është edhe ideja për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, me synimin për të mbështetur procesin e tyre të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Plani parashikon përcaktimin e reformave prioritare, afateve orientuese dhe objektivave për përfundimin e fazave të negociatave. Paralelisht, edhe vendet anëtare të BE-së pritet të marrin angazhime për të avancuar procesin.
Megjithatë, vendimet kryesore që lidhen me zgjerimin e Bashkimit Evropian vijojnë të kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.












