BallinaLajmeLajmet e FunditVendimi i Speciales me 16 korrik, OVL-UÇK: Test për drejtësinë, trupi gjykues...

Vendimi i Speciales me 16 korrik, OVL-UÇK: Test për drejtësinë, trupi gjykues të mos i mbyllë sytë para së vërtetës

Sot, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ka caktuar datën 16 korrik 2025 për ta bërë publik vendimin e tyre në lidhje me mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Lidhur me këtë ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nga ku është vlerësuar se momenti në fjalë është test për drejtësinë dhe për të vërtetën.

Në reagim thuhet edhe se çdo përpjekje për ta njollosur luftën është padrejtësi ndaj popullit dhe ndaj historisë sonë.

‘‘I bëjmë thirrje trupit gjykues që në këtë vendim të rëndësishëm të mos i mbyllë sytë para së vërtetës të luftës sonë çlirimtare. Ky është një moment vendimtar që kërkon respektim të parimeve të drejtësisë me ndershmëri’’, thuhet në reagim.

Postimi:

Deklaratë nga OVL, SHIL, SHFD, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria “Lëvizja”  

Me 16 korrik pritet të merret vendimi për mocionin e dorëzuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ky moment është një test për drejtësinë dhe për të vërtetën.

Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi themele të lirisë e dinjitetit kombëtar.

Çdo përpjekje për ta njollosur atë është padrejtësi ndaj popullit dhe ndaj historisë sonë.

I bëjmë thirrje trupit gjykues që në këtë vendim të rëndësishëm të mos i mbyllë sytë para së vërtetës të luftës sonë çlirimtare. Ky është një moment vendimtar që kërkon respektim të parimeve të drejtësisë me ndershmëri.

Populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare presin një vendim që respekton sakrificën për liri, dhe jo një vendim që i shërben padrejtësisë.

Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve tanë dhe do të qëndrojmë gjithmonë përkrah tyre.

16 korriku do të jetë dita kur do të shihet se a është e politizuar kjo gjykatë apo ende ka në të jurist profesional dhe të paanshëm./GazetaExpress

- Advertisement -