Sveçla tregon masat e marra ndaj zyrtarëve policorë në Pejë, thotë se u identifikuan 155 raste me rrezikshmëri të lartë nga dhuna në familje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është deklaruar në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekaj.
Ai deklaroi se përmes IPK-së ne këto ditë kanë verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës dhe se këto 72 orë kanë qartësuar dhe konfirmuar shqetësimet që kemi ngritur duke nxjerrë në pah dështime në trajtime te raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale të saj.
“Raporti mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe IPK-ja ia kam dorëzuar dje kryeministrit Kurti. Bazuar në gjetjet e evidentuar, janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Pejës, komandantin e stacionit policor, zv.komandantin, shefin e sektorit të hetimeve e të tjerë.Gjetjet e raportit të cilat pres të trajtohen e vlerësohen nga Prokuroria evidentojnë shkelje serioze të policisë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë. Mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutim të urdhrit të dytë për mbrojtje, mos përfillja e kërkesës për përfillje të rrezikut dhe mos marrja e masave të nevojshme në ngritjen e kapaciteteve për ngritjen e sigurisë ndaj Arlindës. Hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte e përgjegjësi të tjera. Dua të bëj të qartë, se asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë e të mirëfilltë dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, e për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun e jetës së saj, por që nuk mori reagimin e plotë institucional. Asnjë uniformë, gradë apo pozitë komandues nuk mund të shërbej si mburojë ndaj përgjegjësisë, dështimi nuk mund të relativizohet dhe përgjegjësia nuk mund të shmanget”,deklaroi Sveçla, transmeton lajmi.net.
Ai tha se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje, institucionet kishin detyrime të vepronin, sot përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo veprim e mosveprim të hetohet deri në fund.

Lexo edheGërvalla kritikon gjykatën, prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale në Pejë
“Përgjegjësia jonë është që të gjitha rastet e tjera të trajtohen me vëmendjen e duhur institucionale. Në këtë drejtim me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti është përpiluar edhe një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë, që aktualisht po monitorohen nga Policia e Kosovës.Janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia e Kosovës ka raportuar individualisht mbi veprimet e marra dhe masat e zbatimit të trajtimit të tyre. Që nga viti i kaluar kemi siguruar pajisjet e rëndësishme të mbikëqyrjes elektronike për mbrojtjen dhe sigurinë në rrezik, aktualisht janë 70 raste në monitorim elektronik”./Lajmi.net/












