Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – OVL-UÇK, Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) – kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët në lidhje me vendimin që pritet të merret më 16 korrik në Dhomat e Specializuara në Hagë, për mocionin e paraqitur nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij.
Organizatat theksojnë se kjo datë përbën një moment kritik për drejtësinë, duke e konsideruar një test për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës së popullit shqiptar.
Në deklaratë thuhet se lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe dinjitetit kombëtar, ndërsa çdo përpjekje për ta njollosur atë paraqet padrejtësi ndaj historisë dhe popullit të Kosovës.
Organizatat i bëjnë thirrje trupit gjykues që në këtë vendim të mos i mbyllë sytë para të vërtetës dhe të veprojë me ndershmëri, duke respektuar parimet themelore të drejtësisë.
“Populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare presin një vendim që respekton sakrificën për liri, dhe jo një vendim që i shërben padrejtësisë,” thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Organizatat shprehen të bindura në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së, duke deklaruar se do të qëndrojnë gjithmonë pranë tyre, teksa paralajmërojnë se 16 korriku do të tregojë nëse kjo gjykatë është e politizuar apo jo.
Deklarata e plotë:
Me 16 korrik pritet të merret vendimi për mocionin e dorëzuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ky moment është një test për drejtësinë dhe për të vërtetën.
Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi themele të lirisë e dinjitetit kombëtar.
Çdo përpjekje për ta njollosur atë është padrejtësi ndaj popullit dhe ndaj historisë sonë.
I bëjmë thirrje trupit gjykues që në këtë vendim të rëndësishëm të mos i mbyllë sytë para së vërtetës të luftës sonë çlirimtare. Ky është një moment vendimtar që kërkon respektim të parimeve të drejtësisë me ndershmëri.
Populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare presin një vendim që respekton sakrificën për liri, dhe jo një vendim që i shërben padrejtësisë.
Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve tanë dhe do të qëndrojmë gjithmonë përkrah tyre.
16 korriku do të jetë dita kur do të shihet se a është e politizuar kjo gjykatë apo ende ka në të jurist profesional dhe të paanshëm./lajmi.net/