Vrasja e Arlindës, Sveçla dhe Gërvalla flasin për kërkesat për dorëheqjet

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë komentuar kërkesat për dorëheqjet e tyre pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Gërvalla tha se do të kishte dhënë dorëheqjen nëse do të konsideronte se një veprim i tillë do të ndihmonte në identifikimin e përgjegjësive, por sipas saj, aktualisht prioritet duhet të jetë zbardhja e plotë e rastit dhe marrja e masave për parandalimin e rasteve të ngjashme.
“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi që do të ndihmonte në identifikimin më të shpejtë të përgjegjësive, do të kisha dhënë dorëheqjen. Unë gjithë jetën jam në anën e viktimave. Viktimat e dhunës aleatin më të fuqishëm e kanë te koordinatorja kombëtare”, deklaroi Gërvalla.
Ajo kërkoi që rasti të mos politizohet, duke theksuar se institucionet duhet të bëjnë gjithçka që është në kompetencat e tyre.
Gërvalla po ashtu bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë po shqyrton bazën ligjore për krijimin e një mekanizmi që do të ndihmonte në parandalimin e rasteve të tilla.

Lexo edheSveçla tregon masat e marra ndaj zyrtarëve policorë në Pejë, thotë se u identifikuan 155 raste me rrezikshmëri të lartë nga dhuna në familje
Ndërkaq, ministri Xhelal Sveçla tha se nuk beson që dorëheqja e tij apo e Gërvallës do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ai rikujtoi se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e drejtorit, pa pasur ndonjë përgjegjësi, me bindjen se një veprim i tillë do të ndikonte pozitivisht.
Sveçla tha se e kupton indinjatën dhe mllefin e protestuesve, duke shtuar se është i angazhuar që institucionet të përmbushin detyrat e tyre dhe të parandalojnë përsëritjen e rasteve të tilla.
“Tash nuk mendoj që dorëheqja jonë do të kontribonte në fuqizmin e gruas dhe të drejetat e saj. Jemi të angazhuar 100 për qind në përmbushjen e de tyrave tona. Unë perosnalisht jam bashkë me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin. Por po punojmë si institucione që të parandalojmë perseritjen e rasteve të tilla”, ka thënë Sveçla./Indeksonline/












