Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitrović, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llazic, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.
Si i siguroi Prokuroria provat
Në dosjen e siguruar nga Insajderi thuhet se provat hetimore janë mbledhur përmes monitorimit të fshehtë të bisedave në vende private dhe publike, vëzhgimit fotografik dhe video në vende të ndryshme, si dhe përmes provave të gjetura në vendbanimet e të pandehurve.
Po ashtu, disa prova janë siguruar kur të pandehurit janë kapur në flagrancë.
Sipas prokurorisë, Bedri Dibrani, Goran Llazic dhe Shaban Tërbunjë janë kapur në flagrancë në veturë duke numëruar paratë që do t’i pranonte Llazic. Këto para ishin dhënë si shpërblim për ekzekutimin e suksesshëm të pagesave në llogarinë e Fadil Ismajlit.
Ja si u dëmtua buxheti i shtetit
Në dosjen e siguruar nga Insajderi thuhet se të pandehurit, gjatë periudhës 20 shkurt 2023 deri më 18 dhjetor 2025, kanë ndërmarrë veprime të qëllimshme me synim përfitimin e kundërligjshëm personal.
Sipas prokurorisë, ata bashkë me përfituesit nga shpronësimi i pronave të paluajtshme nga ana e Qeverisë së Kosovës për vitet 2013-2015, në kundërshtim me ligjin për shpronësimin e pronave të paluajtshme, kanë parashtruar propozime/ankesa në Gjykatën Themelore të Prishtinës- dega Graçanicë.
Pas vlerësimit nga eksperti në seancën përgatitore, çështja është zgjidhur me ujdi gjyqësore dhe pagesat janë realizuar në afate shumë të shpejta, përkundër faktit që propozuesit kishin kaluar afatin për parashtrimin e propozimeve dhe ishin kompensuar paraprakisht. Në këtë mënyrë, ata siguruan përfitime financiare për veten dhe ish-pronarët e tokave.
Sipas prokurorisë, fillimisht Mirlinda Bllata-Dibrani ka parashtruar propozim/ankesë në emër të Fadil Ismajlit, i cili gjithashtu është i pandehur në këtë rast.
Përkundër kësaj, gjyqtari Mitrović dhe kundërpropozuesi, Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, nuk e kanë refuzuar çështjen, por kanë ndërmarrë veprime për ta mbyllur atë me ujdi gjyqësore.
Si rrjedhojë, më 9 dhjetor 2025, nga Thesari i Shtetit në llogarinë bankare të Bllata-Dibranit u depozituan 220,000 euro, nga të cilat 210,000 euro, përmes dy transfereve, kaluan në llogarinë e Fadil Ismajlit. Ky i fundit ia dorëzoi këto para Bedri Dibranit, i cili i ndau me të tjerët si vijon:
4,000 euro për Jovica Mitrović
5,900 euro për Shaban Tërbunjën
9,500 euro për Goran Llaziq
9,000 euro për Naim Krasniqi
7,000 euro për Ridvan Krasniqi

