Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se çështja e kombinatit “Trepça” nuk do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë pasuritë shtetërore të Kosovës nuk do të jenë pjesë e agjendës së dialogut të Brukselit. “Çështja e kombinatit ‘Trepça’, por edhe e të gjitha aseteve të tjera shtetërore të Kosovës, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të jenë temë e bisedimeve në Bruksel. Pasuritë tona shtetërore janë vijë e kuqe për neve, prandaj asnjëherë nuk do të bisedojmë për to në Bruksel. Këtë e kemi bërë të qartë dhe vazhdimisht unë e kam përsëritur atë që e deklaruan edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, se nuk mund të shtrohet asnjë temë pa pajtimin e palëve. Ne kemi veto për mospajtim në rastet e këtilla”, ka deklaruar Tahiri.
Ajo ka vlerësuar se reagimet e Serbisë lidhur me miratimin e Ligjit për “Trepçën” janë të kota dhe, sipas saj, pala serbe nuk është në pozitë ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me rastin e “Trepçës”. “Kushti kryesor është arritja e fqinjësisë së mirë nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy vende që kanë pasur luftë mes vete. Pra, ky është kushtëzimi kryesor dhe Serbia nuk është në pozitë që t’i kushtëzojë bisedimet sepse do ta humbë rrugën drejt integrimit evropian. Prandaj reagimet e Serbisë lidhur me miratimin e Ligjit për ‘Trepçën’ janë të kota”, është shprehur Tahiri.
Gjithashtu, ajo ka hedhur poshtë mundësinë që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i këtij dialogu do të bëjë presion mbi palën e Kosovës që “Trepça” të hedhet në tryezën e bisedimeve. “Jo, nuk do të ketë presione nga Bashkimi Evropian për këtë çështje sepse Bashkimi Evropian është në rolin e ndihmësit ndërmjetësues që lehtëson bisedimet si dhe 23 vende të BE-së e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Pra, shumica e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë tonë. Edhe politikisht Bashkimi Evropian nuk lëshohet në presione të tilla”, ka theksuar Tahiri.