Trainkos sqaron: Tenderi nuk iu dha kompanisë serbe

Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka reaguar lidhur me riparimin e pesë vagonëve të saj në Zrenjanin të Serbisë, duke sqaruar se kontrata për riparimin e tyre ishte dhënë përmes një tenderi të hapur publik.
Sipas Trainkos, procedura e prokurimit, e publikuar më 15 shkurt 2024, ishte fituar nga kompania “Profitech” Sh.P.K. me seli në Prishtinë, e cila kishte qenë operatori i vetëm ekonomik që kishte aplikuar në tender.
Ndërmarrja thotë se riparimi i pesë vagonëve ishte përfunduar në dhjetor të vitit 2024 dhe se kompania fituese kishte përgjegjësi për përzgjedhjen e nënkontraktorëve.
“Firma fituese është përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve dhe, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, ndërmarrja nuk ka mekanizëm juridik ta përcaktojë apo në ndonjë mënyrë të ndikojë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve”, thuhet në reagimin e Trainkos.
Pas raportimeve të publikuara të hënën, Trainkos ka kontaktuar kompaninë “Profitech” për të kërkuar sqarime se pse vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin.
Sipas përgjigjes së operatorit ekonomik, vagonët janë dërguar atje sepse “vetëm ata mund t’i rregullojnë këta vagonë”.
“Ne njoftojmë doganën paraprakisht dhe kalojnë përmes Maqedonisë për në Serbi”, ka deklaruar kompania lidhur me procedurën e dërgimit të vagonëve.
Ndërsa, për mundësinë që riparimet të kryheshin në një vend tjetër, kompania ka thënë se “nuk ka pasur mundësi pasi që nuk mund të rregullohen diku tjetër”.
Megjithatë, Trainkos ka bërë të ditur se do të realizojë një vlerësim të pavarur për të parë nëse riparime të tilla mund të kryhen edhe nga operatorë në shtete të tjera.

Lexo edhe“Zëri” i Policisë në Pejë pensionohet, togeri Fadil Gashi mbyll karrierën pas 35 vitesh shërbim
“Në rast që vlerësohet se kjo është e mundur, do të shqyrtohen opsionet për ta trajtuar brenda kornizës ligjore”, thuhet në reagim.
Trainkos ka dhënë edhe detaje për historikun e vagonëve, duke thënë se ata janë blerë nga Gjermania në vitin 2017 dhe po atë vit janë riparuar në Zrenjanin.
Ndërmarrja ka deklaruar se atëherë një komision i saj kishte vizituar punishten në Zrenjanin për pranimin teknik të vagonëve.
“Është tendencioze dhe manipuluese që konteksti dhe historiku i riparimit të vagonëve të injorohet për qëllim të politikave ditore të cilat aspak nuk i shërbejnë interesit publik”, thuhet në reagim.
Trainkos ka mohuar gjithashtu raportimet se një punonjës i apostrofuar në media lidhur me rastin është larguar nga puna.
“Ndërmarrja nuk e ka përjashtuar nga puna punonjësin. I njëjti aktualisht është në procedurë para komisionit disiplinor për shkak të shkeljeve të shumta të detyrave të punës, përfshirë edhe mosvijimin në punë”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Trainkos ka bërë thirrje që për informacione lidhur me rastin të konsultohen komunikimet zyrtare të institucioneve, duke e cilësuar si “fushatë keqinformuese” disa prej raportimeve të publikuara.












