Dy punëtorë kanë humbur jetën në Gjakovë pasi kanë rënë nga lartësia e një objekti ku po punonin.
Rastin e ka konfirmuar drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
“Dy punëtorë (të rinj) dyshohet se sot rreth orës 08:00 kanë rënë nga lartësia e një objekti në ndërtim. Të njëjtit janë dërguar nënë spitalin e përgjithshëm ‘Isa Grezda’ Gjakovë, në emergjencë dhe mjekët kanë konfirmuar se kanë ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda. Policia dhe prokuroria janë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e rastit”, ka thënë Graishta.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Sheremet Elezaj ka thënë se rasti ka ndodhur në rrugën “Bardhyl Qaushi”.
Ai ka thënë se se Policia po ndërmerr veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës, në rrugën “Bardhyl Qaushi ” në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre. Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarr veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, tha Elezaj