Zbulohen depo të fshehta me barna pa banderola në dy barnatore në Prizren, arrestohen dy persona
Dy persona janë arrestuar në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar të enjten, më 5 nëntor 2026, pas hetimeve të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Prizren, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, hetimet ishin zhvilluar nën dyshimin se në dy biznese farmaceutike në qytetin e Prizrenit po kryheshin veprimtari të kundërligjshme.
Kontrollet janë realizuar me autorizim të Prokurorit të Shtetit dhe në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, ndërsa në aksion ka marrë pjesë edhe Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë.
Gjatë bastisjes në dy barnatore janë zbuluar depo të fshehta, ku mbaheshin barna pa banderola, në kushte që nuk i plotësonin standardet e nevojshme për ruajtjen e produkteve medicinale.
“Gjatë kontrollit janë gjetur depo të fshehta, ku barna pa banderola mbaheshin në kushte që nuk përmbushin standardet e ruajtjes së barnave. Në dy lokacione, vlera e barnave të konfiskuara arrin shifrën e rreth 10 mijë euro në treg”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Konfiskimi i produkteve është kryer nga Njësia Kundër Kontrabandës e Doganës së Kosovës.
Lexo edheTë shtunën protestë kombëtare, paralajmërohet bllokimi i të gjitha rrugëve të Prishtinës
Në kuadër të këtij rasti, Policia ka arrestuar dy persona të gjinisë mashkullore, shtetas të Kosovës, të cilët dyshohen për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Me vendim të prokurorit të çështjes, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet lidhur me veprimtarinë e dyshuar në këto biznese farmaceutike po vazhdojnë./lajmi.net/







