Një incident me armë zjarri ka ndodhur një ditë më parë në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë, ku është raportuar për të shtëna nga një veturë në lëvizje.
Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar 11 gëzhoja të kalibrit 9x19mm.
Përmes një njoftimi në Facebook, Policia ka njoftuar se pas hetimeve të shpejta është identifikuar vetura nga e cila dyshohet se është shtënë me armë zjarri. Në bashkëpunim me njësitë e Stacionit Policor në Deçan, automjeti është ndaluar dhe gjatë kontrollit janë konfiskuar:
Një pistoletë e tipit CZ P-10C
Dy karikatorë
57 fishekë të kalibrit 9x19mm
11 gëzhoja të kalibrit 9x19mm
I dyshuari është intervistuar në Stacionin Policor në Gjakovë. Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke i inkurajuar që çdo informacion të dyshuar ta raportojnë në numrin falas 192 ose përmes aplikacionit digjital Lajmëro Policinë, me qëllim të garantimit të një mjedisi më të sigurt për të gjithë.
