Mbrojtja e të drejtave të njeriut po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, u tha në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit me temën “E Ardhmja e të Drejtave të Njeriut në mes të Transformimeve Globale: Sfidat Kombëtare dhe Detyrimet Ndërkombëtare”. Kjo konferencë është mbajtur në 25-vjetorin e themelimit të këtij institucioni.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se Kosova para më shumë se dy dekada e ka përjetuar se çfarë është të kërkosh drejtësinë në “kohë të errëta të shtypjes së persekutimit dhe ta rindërtosh dinjitetin tënd si shoqëri në kushte të vështira”.
“E ardhmja në sfond duket e trazuar, kur kemi parasysh sfidat nëpër të cilat po kalojmë, konfliktet e hapura, agresioni ndaj Ukrainës, situata e drejtave të njeriut dhe kriza humane në Lindjen e Mesme, kriza globale ekonomike, ndryshimet e shpejta teknologjike, ndikimi që sot ka zhvillimi teknologjik dhe Intelegjenca Artificiale në të drejtat e njeriut, ku algoritmat dhe mundësia e përdorimit të tyre për të ndikuar në të drejtat tona është shumë herë më i madh se sa që mund të ndikojë një mekanizëm i pushtetit ose dështim i një autoriteti publik për t’i përmbushur përgjegjësitë që dalin nga ato standarde që ne i kemi vendosur. Natyrisht në këto realiteti në të cilat sot po jetojmë, është shumë e rëndësishme për të parë se sa ka vlerë dhe se sa e rëndësishme për neve është për t’i ruajtur ato parime themelore mbi të cilat brezat e tërë kanë kontribuar dhe janë angazhuar me përkushtim për t’i vendosur”, tha Qelaj.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha theksoi se shoqëritë e lira dhe demokratike nuk duhet të humbin fokusin nga epiqendra e të drejtave të njeriut.
“Individi jo vetëm si numër në statistika të përgjithshme, por si epiqendër me dinjitet të panegociueshëm, me të drejta të patjetërsueshme. Në kohën tonë kur përballja mes ndryshimeve të intensitetit të lartë global dhe nevojave për përgjigje nga shtetet po shkakton tensione të reja, këto parime për rëndësinë e individit si bartës i të drejtave dhe lirive të njeriut marrin rëndësi akoma më të madhe dhe karakter ende më të fortë. Sot shtetet lëvizin mes sfidave të ndryshme, siç është ajo e sigurisë, migracionit, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, ndryshimet gjeopolitike por edhe ekonomike. Ky realitet shpesh prodhon presion që e tundon ekzekutivin të shpall përparësi të kolektivit, stabilitetit dhe veprimeve duke u thirrur në funksion të kinse ruajtjes së interesit të përgjithshëm. Shoqëritë që duan të mbeten të lira e demokratike, nuk duhet ta humbin fokusin nga epiqendra e të drejtave të njeriut, gjithmonë tek individi”, tha ai.
Ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura, tha se është prioritet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi.
“Mbetet thelbësore që të thellohet kultura e kushtetutshmërisë në jetën institucionale dhe publike. Një Kushtetutë jeton jo vetëm përmes tekstit të saj, por edhe sipas mënyrës se si zbatohet dhe si respektohet ajo. Së dyti, mbetet prioritet i pandashëm ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura si garanci për besimin e qytetarëve në drejtësi. Pavarësia e institucioneve gjyqësore dhe të pavarura nuk është privilegj i atyre institucioneve, ajo është e drejtë e qytetarëve për të marrë mbrojtje dhe drejtësi të paanshme dhe të ndershme. Së treti, ne duhet të jemi të përgatitur për tu përballur me ndikimin e transformimeve teknologjike dhe shoqërore në sistemin tonë juridik, duke mbrojtur të drejtat themelore përballë sfidave që vijnë nga digjitalizimi, mbikëqyrja e të dhënave dhe ndryshimet e shpejta në mënyrat e jetesës”, u shpreh ai.
Drejtoresha e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore, Sirpa Rautio tha se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut është themel i paqes dhe drejtësisë.
“Në një kohë kur mbrojtja e të drejtave të njeriut po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, rolet e institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut, trupave të barazisë dhe Avokatëve të Popullit janë më të domosdoshme se kurrë. Institucionet e të drejtave të njeriut dhe trupat e barazisë varen nga demokracitë funksionale, respektimi i sundimit të ligjit dhe administrimi i mirë, në mënyrë që të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe efektive. Por ky mjedis nuk është gjithmonë i garantuar. IKDNJ-të dhe trupat e barazisë nuk janë gjithmonë në gjendje t’i kryejnë detyrat e tyre të lira nga ndërhyrjet e panevojshme nga qeveritë. Në disa raste, drejtuesit dhe stafi i këtyre institucioneve janë përballur me frikësime dhe madje edhe me hakmarrje”, përfundoi ajo.