MINTI: Mbi 3 mijë inspektime dhe rreth 600 mijë euro gjoba gjatë pjesës së parë të vitit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se gjatë pjesës së parë të vitit 2026 ka shënuar progres në forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Sipas MINTI-t, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut në shkurt, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar mbi 3 mijë inspektime në fusha të ndryshme, përfshirë tregun e derivateve të naftës, sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe mbi 250 inspektime për verifikimin e përmbushjes së kushteve minimale teknike nga operatorët ekonomikë.
Në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve, janë adresuar mbi 600 ankesa, ndërsa IQMT ka zhvilluar aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Metrologjisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Rreth 600 mijë euro gjoba
MINTI ka bërë të ditur se gjatë pjesës së parë të vitit janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shqiptimi i gjobave është rritur për 33.33 për qind.
Gjobat janë shqiptuar për shkelje të ndryshme, përfshirë mospërputhjen e çmimeve raft-arkë, tregtimin e produkteve pa deklaracion, ushtrimin e veprimtarisë pa regjistrim në ARBK, përdorimin e mjeteve matëse me afat të skaduar, tregtimin e produkteve me afat të skaduar dhe shkelje të tjera të legjislacionit.

Lexo edheMINTI: Mbi 3 mijë inspektime dhe rreth 600 mijë euro gjoba gjatë pjesës së parë të vitit
Sipas ministrisë, inspektimet e veçanta kanë përfshirë edhe çmimet e derivateve të naftës, njehsorët elektrikë, kriptovalutat, qendrat e masazhit dhe lokalet e natës, produktet e qumështit, shitjen e cigareve elektronike pranë shkollave fillore dhe parkingjet private të paregjistruara.
Ndërkohë, MINTI ka njoftuar se ka përfunduar faza e parë e transferimit të inspektorëve lokalë të tregut në Inspektoratin Qendror. Synimi është që deri në fund të vitit numri i Inspektorëve të Tregut të arrijë në 100.
Për adresimin e ankesave të qytetarëve, ministria ka lansuar edhe platformën në Viber, ndërsa është funksionalizuar Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Deri në korrik janë mbajtur katër takime të këtij këshilli.
MINTI ka thënë se do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve inspektuese dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me synim krijimin e një tregu më të rregullt, transparent dhe të sigurt për bizneset dhe konsumatorët.












