Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka arritur fitore minimale në ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, e zhvilluar sot në stadiumin “Europa Point”. Kuqezinjtë fituan me rezultat 1:0, falë një goli të Jasir Asanit nga pika e bardhë në minutën e 69-të.
Ndeshja, që shërbeu si përgatitje para rifillimit të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2026, u karakterizua nga një lojë e vakët në pjesën e parë, transmeton lajmi.net.
Vetëm në pjesën e dytë Shqipëria tregoi më shumë lëvizshmëri dhe rrezikshmëri, duke arritur të sigurojë fitoren me një penallti të kthyer në gol.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës më 9 shtator kundër Letonisë në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të Grupit K të eliminatoreve për Kupën e Botës.
Pas katër ndeshjeve në këtë grup, Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 5 pikë – një fitore, dy barazime dhe një humbje. Grupin momentalisht e kryeson Anglia me 9 pikë nga tri ndeshje, e ndjekur nga Serbia dhe Letonia me nga 4 pikë, ndërsa Andorra mbetet e fundit pa pikë.
Në anën tjetër, Gjibraltari, që bën pjesë në Grupin L kualifikues, mbetet pa asnjë pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Ata do të përballen me Ishujt Faroe më 8 shtator, ndërsa në grupin e tyre kryeson Çekia me 9 pikë, e ndjekur nga Kroacia me 6 pikë, megjithëse me dy ndeshje më pak./lajmi.net/