Cakolli: Afatet procedurale e bëjnë të pamundur miratimin e Ligjit për Dhomat Speciale para 6 tetorit

Me dhënien e opinionit nga Qeveria për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kuvendi tash mund ta vazhdojë procedurën e shqyrtimit të tij. Megjithatë, sipas Eugen Cakollit nga KDI, koha e mbetur deri më 6 tetor e bën shumë të vështirë përmbylljen e procedurës para këtij afati.
Cakolli ka renditur afatet dhe procedurat që, sipas tij, duhet të ndiqen nga Kuvendi. Ai thotë se, pasi materialet e plota të projektligjit u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, Komisioni për Legjislacion mund ta shqyrtojë atë në parim, ndërsa më pas projektligji duhet të kalojë në seancë plenare. Për shqyrtim të përshpejtuar kërkohet kërkesë e së paku 30 deputetëve ose e Qeverisë, ndërsa shmangia nga afatet procedurale mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të miratohet me dy të tretat e deputetëve të pranishëm.
Sipas Cakollit, edhe në procedurë të përshpejtuar duhet të respektohen afate minimale: së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri në shqyrtimin e parë dhe 72 orë nga miratimi në parim deri në shqyrtimin e dytë. Në këtë skenar, shqyrtimi i parë në seancë do të mund të bëhej më së herëti më 5 tetor, ndërsa shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar jo më herët se 8 tetori.
Cakolli rikujton gjithashtu se, pas miratimit, ligji duhet t’i dërgohet Presidentit për shpallje dhe se hyrja në fuqi kërkon përmbushjen e afateve të tjera ligjore. Ai thekson se edhe nëse miratohen afate më të shkurtra, ligji gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë ndryshe.

Lexo edheI takonte Grupit të Intelektualëve, i jepet lamtumira e fundit Adem Beqirit
Sipas tij, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen ashtu edhe për procedurën e ndjekur. Në një rast të tillë, shpallja e ligjit pret vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.












