Sikurse edhe në të kaluarën, Kosova dhe Serbia kanë drejtuar akuza ndaj njëra-tjetrës në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Kosovën, të mbajtur të enjten në Nju Jork, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në qëndrimin e tyre se, normalizimi i marrëdhënieve është rruga e vetme përpara për dy vendet.
“Presidenti [amerikan, Donald] Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë. Ne do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara. Me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, ka thënë zëvendëspërfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce, duke përsëritur se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
“Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë miqtë tanë. Ata meritojnë të ardhme që përkufizohet nga siguria, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet fqinjësore, jo me tensione politike apo me probleme të ricikluara”, ka thënë mes tjerash ajo.
Ekipi i Kosovës ka thënë se nuk pret normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa llogaridhënie të qartë për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc dhe garanci për ndalje të agresionit, ndërsa ekipi i Serbisë e ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti për shtypje të zërit të serbëve lokalë.
Kosova e akuzon Serbinë për të kryerjen e të dyja sulmeve, mirëpo Beogradi mohon gjithçka. Në sulmin në Banjskë ishte vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës, ndërsa në Ibër-Lepenc pati shpërthim të lëndëve plasëse që rezultuan me dëmtim të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike”./REL