Beqiri: Vendimi i Hagës mund të ndikojë në investimet e huaja në Kosovë

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me situatën e paqëndrueshme politike, mund të ndikojë negativisht në investimet e huaja në Kosovë. Ai ka theksuar se zhvillimet politike dhe pasqyrimi i tyre në mediat ndërkombëtare mund të ndikojnë në perceptimin e investitorëve për vendin.
Beqiri ka thënë se mungesa e një bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe partive politike, si dhe mundësia e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, mund të ndikojnë në tkurrjen e investimeve dhe në përkeqësimin e gjendjes ekonomike.
“Po, sigurisht, duke marrë për bazë edhe bujën, edhe median ndërkombëtare, edhe diplomacinë intensive të Serbisë kundrejt ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konkretisht vendimit të Hagës, ka me ndiku edhe në aspektin ekonomik. Për faktin që edhe investimet e huaja ndikohen prej lajmeve ndërkombëtare siç është rasti aktual, dhe kjo sigurisht që do të duhej që t’i zgjonte institucionet e Kosovës në mënyrë që të përballojnë këtë situatë, e cila për mendimin tim është kritike”, tha ai për EO.
Sipas tij, zhvillimet aktuale ndikojnë në disa aspekte, përfshirë atë politik, emocional dhe ekonomik, ndërsa ka paralajmëruar për mundësinë e rënies së investimeve në rast se nuk arrihet një bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe partive politike.
“Edhe në aspektin politik, edhe në aspektin emocional, po edhe në aspektin ekonomik, sepse ndikon jashtëzakonisht shumë edhe në investimet e huaja. Sepse investitorët kryesisht shikojnë edhe median ndërkombëtare, edhe aspektin e shteteve të cilat janë top-lajmeve, dhe sigurisht që kjo ndikon jashtëzakonisht shumë. Besoj që do të ketë një tkurrje të investimeve nëse nuk ka një përbashkim të institucioneve të Republikës së Kosovës apo partive politike, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje përsëri dhe të ketë një ndikim tejet të keq në aspektin ekonomik”, tha ai.
Ekonomisti ka vlerësuar se Kosova tash e gati dy vjet po përballet me ngërç politik, i cili, sipas tij, ka ndikuar në stagnimin ekonomik.
Ai ka theksuar se, pavarësisht statistikave që tregojnë rritje ekonomike, vendi vazhdon të përballet me rritje të çmimeve dhe varësi të lartë nga importi.

Lexo edheDita e Unitetit Gjerman, ambasada e Gjermanisë: Këtu në Kosovë, kjo histori ka një kuptim të veçantë
“Po, kryesisht Kosova pothuajse që dy vite është në ngërç politik dhe ka një stagnim në aspektin ekonomik. Edhe pse statistikat tregojnë që ka një rritje të aspektit ekonomik, por ka dhe rritje të çmimeve dhe varësi nga importi. Kryesisht, Kosova tashmë pothuajse ka thyer rekord sa i përket importit dhe kjo ka me ndiku jashtëzakonisht keq edhe në performancën e të bërit biznes në Kosovë, njëkohësisht edhe në jetesën e qytetarëve”, tha ai për Ekonomia Online.
Beqiri u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që të bashkëpunojnë dhe të marrin vendime që, sipas tij, do të ndihmonin zhvillimin ekonomik dhe përballimin e situatës aktuale. Ai ka përmendur rritjen e çmimeve, të derivateve dhe inflacionin, krahas krizës politike dhe zhvillimeve në Hagë, si faktorë që ndikojnë në ekonominë e vendit dhe jetesën e qytetarëve.
“Prandaj institucionet e Kosovës, partitë politike duhet t’i thërrasin mendjes, të bashkohen dhe të marrin vendimet e duhura sa i përket zhvillimit ekonomik. Për faktin që tashmë jemi në një situatë jashtëzakonisht kritike në të gjitha aspektet, dhe mendoj që institucionet duhet ta kryejnë detyrën e tyre duke shpërfaqur edhe çështjen organizative të aspektit ekonomik, të përbashkimit dhe përballimit të situatës e cila tashmë Kosovën e ka goditur jashtëzakonisht shumë, edhe fakti i rritjes së çmimeve, derivateve, i inflacionit, tashmë edhe kriza politike edhe vendimi i Hagës. Të gjitha këto kanë bërë që institucionet do të duhej, në fakt, të ndërmarrin masa të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve”, tha ai.
Duke folur për investimet në prodhimtari, Beqiri ka thënë se, pavarësisht paralajmërimeve për investime prej rreth një miliard eurosh, bizneset prodhuese ende nuk po e ndiejnë mbështetjen e shtetit.
Ai ka përmendur energjinë elektrike, vështirësitë në të bërit biznes dhe qasjen në financa si disa nga sfidat me të cilat po përballen ndërmarrjet.
“Investimet në prodhimtari, kryesisht ekspozeja e kryeministrit ka qenë që do të investohen rreth 1 miliard euro, po ende bizneset prodhuese nuk po e shohin dorën e shtetit dhe po ballafaqohen me situata të cilat tashmë janë edhe publike, siç është edhe çështja e energjisë elektrike, të bërit biznes, qasja në financa, të gjitha ndikojnë tepër keq. Dhe kjo mendoj që është aspekti kryesor, ose fokusi kryesor i institucioneve, që të paktën në aspektin ekonomik të mos çalojë dhe të kemi një zhvillim ekonomik për të përballuar edhe krizat e ndryshme që pritet të vijnë në të ardhmen”, tha ai.












