Një ndërhyrje e shpejtë dhe efektive e Policisë Kufitare në Vlorë ka shmangur një ngjarje të rëndë, duke shpëtuar tre pushues që rrezikonin jetën në ujërat e detit, pranë plazhit të Ujit të Ftohtë.
Salla e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin (DRKM) Vlorë mori njoftim se një shtetase po lundronte me kanoe, rreth 1 milje larg bregut, dhe kishte humbur kontrollin duke kërkuar ndihmë.
Dy pushues të tjerë tentuan të ndihmonin duke hyrë në det me not, por distanca e madhe nga bregu i vuri në rrezik edhe ata.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, një mjet lundrues i Policisë Kufitare u nis drejt vendngjarjes duke transportuar tre pushuesit të sigurt në breg.