Rivarroset Adem Beqiri, viktimë e zhdukjes me dhunë gjatë luftës

Sot, sipas kërkesës së familjes, në fshatin Pantinë të Vushtrrisë u mbajt ceremonia e rivarrimit të mbetjeve mortore të Adem (Muhamet) Beqirit.
Pas 27 vjetësh pritjeje të dhimbshme, familja i dha lamtumirën e fundit të dashurit të saj, i cili u zhduk me dhunë nga forcat serbe më 19 prill 1999, së bashku me bashkudhëtarët e tij, të njohur si Grupi i Intelektualëve.
Po ashtu, sot në Mitrovicë u mbajt edhe një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Adem Beqirit, duke kujtuar me respekt angazhimin dhe kontributin e tij për çështjen kombëtare.
Familjarë, miq, bashkëveprimtarë dhe përfaqësues institucionalë u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e veprimtarit Adem Beqiri dhe për të ndarë dhimbjen me familjen.
Adem Beqiri dhe 22 viktimat e tjera të këtij rasti të zhdukjes me dhunë u ndaluan nga forcat serbe më 19 prill 1999, gjatë rrugëtimit drejt Malit të Zi. Mes tyre kishte mjekë, profesorë, arsimtarë dhe veprimtarë, humbja e të cilëve la një zbrazëti të rëndë për familjet dhe mbarë Kosovën.

Lexo edheKomandanti i Zjarrfikësve: Zjarri në Fushë Kosovë prej më të mëdhenjëve në dekadën e fundit
Mbetjet mortore të Adem Beqirit u gjetën në varrezën masive në zonën e Zubin-Potokut dhe u identifikuan përmes analizave të ADN-së, ashtu si edhe ato të bashkudhëtarëve të tij, Idriz Rrecajt dhe Sali Mëziut.
“Në këtë ditë nderimi, qëndrojmë pranë familjes Beqiri dhe të gjitha familjeve që ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.
Mirënjohje për të gjitha familjet e viktimave të zhdukjes me dhunë dhe shoqatat familjare.
Mirënjohje të gjitha institucioneve dhe profesionistëve që kontribuuan në gjetjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore të Adem Beqirit, familjes së tij” thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.












