Gruda: Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta shfuqizuar ndryshimin në Ligjin për Specialen që e kemi propozuar

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar lidhur me diskutimet për mundësinë që ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës të dërgohen për shqyrtim në Dhomën e Specializuar Kushtetuese në Hagë.
Gruda ka thënë se me ndryshimet e propozuara në ligj, kësaj Dhome i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës përcakton se Dhoma e Specializuar Kushtetuese, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, vendos ekskluzivisht për referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në përputhje me ligjin e veçantë.
“Pikërisht mbi këtë bazë, me nenin 23 të projektligjit tonë e kemi përcaktuar shprehimisht kufirin e juridiksionit të Dhomës Kushtetuese në Hagë”, ka shkruar Gruda.
Ai ka sqaruar se, sipas projektligjit, Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë do të mund të vendosë vetëm për referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ndërkaq, Gruda thotë se në nenin 23 përcaktohet shprehimisht se kjo Dhomë “nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt (paraprak), konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose Ligjit Nr. 05/L-053”.
Sipas tij, projektligji përcakton gjithashtu se kontrolli i kushtetutshmërisë së vetë ligjit, si dhe i ligjeve që e ndryshojnë, plotësojnë ose shfuqizojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

Lexo edheRivarroset Adem Beqiri, viktimë e zhdukjes me dhunë gjatë luftës
“Prandaj, sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka theksuar se Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë nuk është një gjykatë kushtetuese e ndarë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një dhomë e specializuar me juridiksion të përcaktuar posaçërisht.
“Kontrolli kushtetues i akteve të Kuvendit, përfshirë këto ndryshime ligjore, i mbetet Gjykatës Kushtetuese në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë”, ka përfunduar Gruda./lajmi.net/












