Risi në Kosovë: Inteligjenca artificiale bëhet pjesë e kurrikulës së Shkollave Maarif

Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë mblodhën në ceremoninë e Çmimeve të Suksesit nxënësit që arritën rezultate në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë vitit shkollor 2025–2026. Në ceremoni u shpërblyen rreth 60 nxënës për arritjet në shkencë, teknologji, robotikë, gjuhë, debat, art dhe sport, si dhe për përfaqësimin e shkollave të tyre në platforma të ndryshme.
Në program morën pjesë këshilltarja e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Şeyda Çimeli Aydın; Përfaqësuesi i Fondacionit Maarif të Turqisë në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan; Këshilltari për Shërbime Fetare i Ambasadës, Dr. Kadir Dinç; Këshilltari për Punë të Brendshme i Ambasadës, İlker Yurduseven; Koordinatori i TİKA-s në Kosovë, Mehmed Taha Doğan; Këshilltari tregtar i Ambasadës së Hungarisë, Áron Kerékgyártó; Drejtori i përgjithshëm i BKT-së, Suat Bakkal; Përfaqësuesi i Turkish Airlines në Kosovë, Necmeddin Esat Belen; dhe Drejtori ekzekutiv i Dhomës Tregtare Turke të Kosovës (KTTO), Meriton Sunduri. Gëzimit të nxënësve iu bashkuan edhe përfaqësues të institucioneve zyrtare dhe organizatave të shoqërisë civile nga Turqia dhe Kosova, përfaqësues të mediave, drejtues të shkollave, mësimdhënës dhe prindër.

Në fjalën e hapjes, Përfaqësuesi i Fondacionit Maarif të Turqisë në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, theksoi se pas sukseseve të nxënësve qëndrojnë puna e vazhdueshme, përkushtimi i mësimdhënësve dhe mbështetja e familjeve. Ai vuri në dukje se nxënësit, krahas arritjeve akademike, kanë përfaqësuar me sukses shkollat e tyre dhe Kosovën edhe në aktivitete sportive, artistike dhe kulturore.


Duke kujtuar se Fondacioni Turk Maarif, i themeluar në vitin 2016, feston këtë vit dhjetëvjetorin e tij, Aslan u shpreh se në qendër të qasjes arsimore të Fondacionit është formimi i individëve të ditur, të mirë dhe të virtytshëm. Ai theksoi se veprimtaria arsimore në Kosovë, e nisur në vitin 2017, vazhdon me të njëjtën qasje shkollat tona në Prishtinë dhe Prizren, duke mbështetur, krahas zhvillimit akademik të nxënësve, edhe përgjegjësinë shoqërore, ndërgjegjësimin kulturor dhe aftësitë e komunikimit ndërkombëtar.
Shkolla e parë në Kosovë që përfshin inteligjencën artificiale në kurrikulë
Duke folur për transformimin digjital në arsim, Aslan njoftoi se programi për edukimin mbi inteligjencën artificiale, i nisur vitin e kaluar si projekt pilot me mbështetjen e Fondacionit Turk Maarif, është përfshirë këtë vit në kurrikulën shkollore. Sipas tij, Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë janë shkolla e parë në vend që e ka përfshirë dhe zbatuar këtë lëndë në kurrikulën e saj.
Aslan shpjegoi se programi, i zhvilluar në përputhje me objektivat e digjitalizimit të Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2022–2026, synon të formojë nxënës që e kuptojnë teknologjinë, e shqyrtojnë në mënyrë kritike, e vlerësojnë dhe e përdorin me përgjegjësi për të krijuar zgjidhje. Ai theksoi se kjo nismë, e mirëpritur nga nxënësit dhe prindërit, forcon aftësitë digjitale të të rinjve.

Aslan bëri të ditur gjithashtu se programi ka tërhequr interesimin e Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës dhe se shkollave u është përcjellë një kërkesë për ofrimin e programeve të trajnimit mbi inteligjencën artificiale edhe për shkolla të tjera, duke theksuar se puna në këtë drejtim po vazhdon.

Lexo edheRubio: Të shqetësuar se konflikti në Ukrainë mund të përhapet në vende të tjera
Çimeli Aydın: Mbështetja jonë për Shkollat Ndërkombëtare Maarif në Kosovë do të vazhdojë

Në fjalën e saj, këshilltarja e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Şeyda Çimeli Aydın, u shpreh se sukseset kombëtare dhe ndërkombëtare të nxënësve janë burim krenarie. Ajo përgëzoi nxënësit dhe falënderoi familjet dhe mësimdhënësit e tyre. Aydın theksoi se Ambasada do të vazhdojë të mbështesë Shkollat Maarif dhe shprehu besimin se këto suksese do të shtohen edhe më tej në periudhën e ardhshme.
Gjatë vitit shkollor 2025–2026, nxënësit fituan vende të para, të dyta dhe të treta në gara të matematikës, fizikës dhe kimisë në nivel komunal dhe kombëtar. Në teknologji, robotikë dhe inovacion, ata përfaqësuan shkollat e tyre dhe Kosovën në organizime si TEKNOFEST, Kosova Makers League, Garat e Robotikës të Ministrisë së Arsimit Kombëtar të Turqisë dhe Gara Ndërkombëtare e Robotikës Maarif.

Në gjuhë, debat dhe komunikim, nxënësit shënuan rezultate të rëndësishme në garat e debatit në gjuhën turke dhe në provimet e gjuhës turke, përfshirë edhe vende të para në nivel botëror. Punimet në fotografi, pikturë, shkrim krijues dhe arte skenike dëshmuan zhvillimin e tyre artistik. Në ceremoni u vlerësuan gjithashtu rezultatet në tenis tavoline, harkëtari, volejboll, mundje dhe jiu-jitsu, të arritura në nivel komunal, rajonal, kombëtar, ballkanik dhe ndërkombëtar.
Nxënësit luajtën rol aktiv edhe në konferenca ndërkombëtare, takime rinore dhe programe verore. Krahas nxënësve që përfaqësuan Kosovën në Samitin e 5-të Ndërkombëtar të Modelit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (Model OIC), të zhvilluar në Stamboll, përvojë ndërkombëtare fituan edhe pjesëmarrësit në organizime si Münazara, NUN Summer Program, Muslim Youth Meeting dhe RIDERS. Programet Math Kangaroo Summer Camp dhe Summer Camp Istanbul në Turqi kontribuuan në zhvillimin akademik të nxënësve dhe në komunikimin e tyre me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme.
Programi përfshiu edhe interpretime muzikore dhe korale të nxënësve. Gjatë ceremonisë, mësimdhënësve dhe personelit të shkollave që kontribuuan në sukseset e nxënësve iu ndanë certifikata. Dhomës Tregtare Turke të Kosovës (KTTO) dhe institucioneve të tjera që mbështetën pjesëmarrjen e nxënësve në gara ndërkombëtare iu ndanë pllaka mirënjohjeje.
Programi, i cili vuri në pah zhvillimin e gjithanshëm të nxënësve dhe kontributin e mësimdhënësve, familjeve dhe mbështetësve në arritjet e tyre, përfundoi me një fotografi të përbashkët të të ftuarve, nxënësve dhe mësimdhënësve.














