Reagim i fortë i gazetarit gjerman para vendimit të Speciales: Ta barazosh Thaçin me Mlladiqin është gabim në shumë aspekte

Gazetari i njohur gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ka reaguar para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke kundërshtuar krahasimet mes tij dhe ish-komandantit të forcave serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Në një reagim të publikuar në platformën “X”, Martens ka vlerësuar se një krahasim i tillë është i gabuar, duke theksuar dallimet mes luftës në Kosovë dhe asaj në Bosnje, si dhe përmasave të krimeve të kryera gjatë tyre.
“Ta barazosh Ratko Mlladiqin me Hashim Thaçin, siç duket se disa po përpiqen ta bëjnë tani, është gabim në shumë nivele”, ka shkruar Martens.
Ai ka përmendur në veçanti masakrën e Srebrenicës, duke theksuar se krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të krahasohen me atë ngjarje.
“Ende është e tmerrshme, por dallimet numerike kanë rëndësi”, ka shkruar gazetari gjerman.
Sipas Martensit, “UÇK-ja nuk ka kryer asgjë që mund të krahasohet në mënyrë të largët me Srebrenicën”. Në këtë kontekst, ai ka kujtuar edhe masakrat e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke veçuar Mejën dhe Korenicën në rajonin e Gjakovës.
Martens: UÇK-ja ka kryer krime, por luftërat nuk mund të barazohen
Martens ka vënë në dukje edhe dallimet në kronologjinë dhe rrethanat e luftërave. Sipas tij, krimet e Mlladiqit janë kryer në kuadër të një lufte të nisur nga pala serbe, ndërsa UÇK-ja ishte shfaqur si forcë kryengritëse në përgjigje të viteve të asaj që ai e përshkruan si “padrejtësi sistematike dhe të mbështetur nga shteti” ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Megjithatë, gazetari gjerman ka bërë të qartë se kjo nuk nënkupton mohim të krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.
“Një fakt megjithatë mbetet: UÇK-ja ka torturuar dhe vrarë edhe njerëz të pafajshëm, si shqiptarë ashtu edhe serbë”, ka shkruar ai.

Lexo edheSadiku: Kurti prezantoi programin e vitit 2019 para koalicionit VV-Lista Serbe
Martens ka ngritur më pas një pyetje që lidhet drejtpërdrejt me procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: kush duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera, nëse gjykata pranon argumentin e mbrojtjes se nuk ka ekzistuar një zinxhir funksional komandues në UÇK?
“Krimet e luftës të kryera nga UÇK-ja dhe në emër të UÇK-së ndaj serbëve dhe shqiptarëve individualë janë kryer. Edhe avokatët e Thaçit nuk e mohojnë këtë. Kush do të përgjigjet për këto krime?”, ka shkruar Martens.
Kujton Mejën dhe Korenicën
Në reagimin e tij, Martens ka rrëfyer edhe për pjesëmarrjen në një përkujtim për viktimat shqiptare të masakrave të Mejës dhe Korenicës.
Ai ka treguar se kishte pyetur pjesëmarrësit nëse kishin parë ndonjëherë serbë të merrnin pjesë në këto përkujtime. Fillimisht, përgjigjja, sipas tij, ishte negative. Më pas, një prej të pranishmëve kishte përmendur aktivisten e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, duke thënë se ajo kishte marrë pjesë edhe në përkujtimin e vitit të kaluar.
Në fund të reagimit, gazetari i FAZ-it ka kritikuar mungesën e njohjes në Serbi për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Mejë dhe Korenicë të Gjakovës.
Sipas tij, shumë prej atyre që flasin për gjendjen e serbëve në Kosovë “nuk kanë dëgjuar, ose pretendojnë se nuk kanë dëgjuar” për këto krime.
Reagimi i Martens vjen në një moment të ndjeshëm, pak para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke e vënë theksin njëkohësisht te përgjegjësia për krimet e luftës dhe te nevoja për të mos barazuar kontekste dhe përmasa të ndryshme të krimeve të luftërave në ish-Jugosllavi.












