Steve Mandanda ka bërë një rrëfim emocional lidhur me fundin e karrierës së tij, duke pranuar se largimi nga futbolli i nivelit më të lartë ka qenë shumë më i vështirë sesa e kishte imagjinuar.
Ish-portieri francez tregoi se momenti kur gjithçka mori fund e goditi emocionalisht, pasi kuptoi se po mbyllte një kapitull të madh prej 25 vitesh në futboll.
“Kur gjithçka ndaloi, ishte vërtet shumë e vështirë sepse e kuptova se nuk do të luaja më futboll në nivelin më të lartë dhe se po mbyllja një kapitull të gjatë prej 25 vitesh”, u shpreh Mandanda.
Francezi pranoi se, edhe pse e dinte se fundi po afrohej, ai nuk kishte menduar realisht për atë moment deri sa ndodhi.
“Edhe pse e dija që po i afrohesha fundit, nuk mendoja për të. Kishte aq shumë emocione që më pushtuan”, shtoi ai.
Mandanda tregoi gjithashtu se ende ndjen nostalgji kur ndjek ndeshje futbolli, duke kujtuar emocionet e kohës kur ishte pjesë aktive e lojës.
“Kur shikoj disa ndeshje, ndonjëherë ndiej nostalgji, duke menduar se do të doja të isha aty ose do të doja ta bëja atë pritje.”
Megjithatë, ai theksoi se me kalimin e kohës ndjenja e mungesës është zbutur, edhe pse ende ekziston.
“Malli është zbehur me kohën, por ende është aty”, përfundoi ish-portieri francez./Indeksonline/