Policia marokene përdor kamionë me ujë për ta shpërndarë protestën e mësuesve

Policia e Marokut ka përdorur kamionë me ujë në orët e para të së dielës në Rabat për t’i shpërndarë mijëra mësues që po protestonin për kushte më të mira të punës.
Autoritetet u munduan t’i japin fund tubimit të rreth 15 mijë mësuesve përballë parlamentit, ku kishin planifikuar ta kalojnë natën para mbajtjes së një proteste edhe më të madhe, e cila është organizuar nga partitë opozitare majtiste, sindikatat dhe grupet e shoqërisë civile.
Pas dështimit të negociatave mes zyrtarëve policorë dhe mësuesve për t’u larguar nga vendi i grumbullimit, të cilat zgjatën disa orë, policia nisi t’i përdorë kamionët me ujë për t’i shpërndarë njerëzit e mbledhur para parlamentit.
Autoritetet kanë thënë se kanë ofruar autobusë për t’i dërguar mësuesit në vende tjera, ku do të mund ta kalonin natën. Sidoqoftë, ata e kanë refuzuar një gjë të tillë dhe kanë brohoritur “Liri, dinjitet, drejtësi sociale”.
Disa mësues kanë thënë se po protestojnë kundër përmbajtjes së kontratave që u janë ofruar nga qeveria. Ata po kërkojnë që të gëzojnë beneficione dhe pensione të njëjta me shërbyesit publikë.

Lexo edheRrezikoi të dënohej me burg, për shkak se përpiu një peshk të gjallë
Protestat e mësuesve në Marok kanë filluar para tri javësh. Nga 240 mijë mësues, 55 mijë janë zgjedhur sipas një sistemi të ri të kontratave, i cili ka filluar të zbatohet nga viti 2016.
Maroku po përballet me presion nga huadhënësit ndërkombëtarë për t’i zvogëluar shpenzimet për pagat e sektorit publik dhe për ta rritur efikasitetin në këtë sektor, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.














