Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka njoftuar se nesër, të shtunën, më 22 gusht, do të jetë në sallën e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive.
Sipas njoftimit të PDK-së, deputetët e saj do të jenë në Kuvend nga ora 11:00, duke kërkuar që të vazhdojë procesi i konstituimit të institucionit, transmeton lajmi.net.
PDK-ja ka bërë të ditur se i ka drejtuar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës, duke iu referuar Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.
“PDK i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, z. Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Deputetët e PDK-së do të jenë në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës në ora 11:00, ndërsa mediat janë ftuar ta përcjellin këtë zhvillim.
Njoftimi vjen pasi PDK-ja i kërkoi Deharit që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet më 22 gusht./lajmi.net/