Hargreaves për vendimin e Hagës: Kosova ka të drejtë të përcaktojë të ardhmen e saj, të dënuarit mund të apelojnë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar se në qershor 1999, trupat britanike kanë kaluar kufirin në Han të Elezit si pjesë e misionit të NATO-s, për të ndaluar spastrimin etnik dhe dhunën kundër popullsisë civile në Kosovëë.
Ai ka thënë se politikat katastrofale të Slobodan Millosheviçit, kanë çuar në krime lufte dhe represion të dokumentuar mirë në Kosovë.
“Qindra mijëra shqiptarë etnikë u detyruan të largoheshin nga Kosova ose u zhvendosën brenda vendit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përfshirë Rusinë, shprehu vazhdimisht shqetësimin e tij të thellë për situatën e rëndë humanitare. Millosheviq refuzoi të gjitha ofertat për paqe, duke përshpejtuar fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe veprimin e NATO-s në Kosovë”, ka shkruar Hargreaves.
Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është krenare për rolin që kanë luajtur në Kosovë që nga viti 1999 e tutje.
“Ajo mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për drejtësi ndërkombëtare, llogaridhënie dhe respekt për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Kosova mori vendimin e vështirë për të krijuar dhe mbështetur Dhomat e Specializuara, duke e ditur se ato mund të hetonin disa nga figurat më të shquara në organizatat që ishin qendrore në luftën e saj çlirimtare. Kosova mund të jetë krenare për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të mbështetur parimin se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Ky është një shembull i rëndësishëm për rajonin në tërësi. Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera kundër viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato nuk janë në asnjë mënyrë një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë me forcë. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë vendimet e tyre”, ka shkruar Hargreaves.
Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj të vërtetës rreth Ballkanit Perëndimor dhe pajtimit të qëndrueshëm.

Lexo edhePolicia sekuestron rreth 1,000 artikuj pa dokumentacion në Han të Elezit
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjithë rajonin dhe ndërkombëtarisht në mbështetje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të begatë për të gjitha komunitetet”, ka shkruar Hargreaves. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:












