Futbollisti gjerman, Mesut Ozil, kishte zgjedhur presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, si njeriu i tij më të mirë, për ta celebruar” ditën e martesës. Mesfushori me origjinë turke e zhvilloi dje martesën me të fejuarin e tij, aktoren dhe modelen Amine Gulse. Të premten zhvilloi një ceremoni përgjatë Bosforit, në Stamboll, ku morën pjesë shumë burrështetas dhe njerëz të famshëm.
Fotografitë e dasmës treguan një Erdogan të qeshur, dhe gruan e tij, Emine, duke qëndruar pranë çiftit, pasi martesa u formalizua. Ozil dhe Gulse, e cila u kurorëzua “Mis Turqia” në vitin 2014, gjithashtu, bënë një donacion të fuqishëm për “Gjysmëhënën e Kuqe” të Turqisë, për të siguruar një vakt ngrënieje për rreth 15.000 refugjatë sirianë.

Ozil njoftoi që në mars të këtij viti se i kishte kërkuar Erdogan-it të ishte “njeriu më i mirë” i tij, ditën e martesës. Për këtë zgjedhje, shefi i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel, u bë pjesë e një korti kritikash. Helge Braun i partisë kryesore të Gjermanisë, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), në atë kohë tha për gazetën Bild se “e trishton kjo ftesë e Ozil, e habit një lëvizje e tillë e tij”, pavarësisht se ishte kritikuar ashpër nga publiku gjerman për foton dhe takimin e parë me Erdogan, para Botërorit të vitit të kaluar.
Futbollisti nxiti një stuhi politike ndaj tij në Gjermani, pasi pozoi pranë Erdoganit, në maj 2018. Kritikat u intensifikuan pasi Gjermania u eliminua që në raundin e parë të Kupës së Botës në Rusi. Pas kësaj stuhie kritikash, verën e kaluar, Ozil njoftoi tërheqjen nga kombëtarja gjermane. E bëri këtë përmes një deklarate të gjatë, ku e shikonte veten viktimë të racizmit.

Ozil, i cili tani luan për Arsenalin, ka luajtur 92 ndeshje me Gjermaninë dhe pati një rol kyç në triumfin e Kupës së Botës 2014. “Unë jam gjerman, kur fitojmë, por jam një emigrant, kur humbim”, – tha Ozil, duke justifikuar dorëheqjen e tij nga kombëtarja gjermane. Me këtë i dha përgjigje edhe pyetjes që i bëhej nga gjermanët, nëse ndihej më shumë turk, prej nga ka “rrënjët”. Dasmën e zhvilloi tërësisht sipas riteve turke, duke e dëshmuar qartësisht përkatësinë e vet të origjinës.

Erdogan merr pjesë shpesh në martesat e famshme turk, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Prania e tij në martesën e Ozil vjen përpara zgjedhjeje bashkiake të Stambollit, që do të përsëriten më 23 qershor, pasi votimi fillestar i marsit u anulua, pas një fitoreje të ngushtë të Partisë Republikane Popullore, pjesë e opozitës kryesore.