OVL-UÇK paralajmëron protesta: Nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen, do të dalim në rrugë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur për kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, tha se nëse kërkesat e veteranëve nuk merren parasysh dhe iniciativa për ndryshimin e ligjit, e cila është propozuar nga PDK-ja, nuk procedohet më tej, veteranët do të ndërmarrin veprime.
Syla tha se, në një situatë të tillë, OVL e UÇK-së do të dalë në rrugë, por theksoi se për momentin po u jepet mundësi institucioneve që të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapat për të cilët, sipas tij, janë zotuar deputetët.
“Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona dhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast PDK-ja, për këtë plotësim-ndryshim të ligjit, nëse e kuptojmë që është qëllimkeqe dhe është e qëllimshme e që nuk po duan të avancojnë më tutje, sigurisht që kemi me i marrë veprimet tona, do të dalim në rrugë, për këtë të jeni të sigurt”, tha Syla.
Ai shtoi se OVL e UÇK-së nuk dëshiron të nxitojë me veprime, duke u dhënë mundësi institucioneve që të reflektojnë.

Lexo edheNgjarje e rëndë në një fshat të Pejës, humb jetën fëmiu pasi e zuri dera e oborrit
“Po duam t’u japim mundësi këtyre njerëzve që po udhëheqin sot me institucionet tona. Nëse nuk procedohet më tutje, ne veteranët apo kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrimë duarkryq. Do t’i marrim hapat tjerë, për të cilët do ta bëjmë të ditur”, u shpreh ai.
Syla tha se për momentin janë në pritje të veprimeve të institucioneve, duke iu referuar edhe zotimeve të deputetëve të Kuvendit gjatë ditës së djeshme.
“Po duam për momentin t’i japim mundësi që të reflektojë kjo qeveri dhe të ndërmarrin hapat për të cilët edhe dje janë zotuar deputetët e Kuvendit. Prandaj po presim, por në rrethana tjera ne do të dalim në rrugë”, deklaroi Syla./Lajmi.net/












