Opozita refuzon të bëhet pjesë e dialogut, kërkon zgjedhje

Partitë opozitare nuk do t’u përgjigjen thirrjeve të Qeverisë që t’i bashkohen dialogut me Serbinë, i cili është paralajmëruar të vazhdojë në nivel presidentësh dhe kryeministrash.
Nisma për Kosovën, fraksion ky i dalë nga Partia Demokratike e Kosovës, i ka bërë përgjegjës ish-kreun e PDK-së, aktualisht presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Isa Mustafa për degradimin e dialogut, shkruan sot Koha Ditore.
Madje, sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, dialogu i filluar në vitin 2011 nga qeveria Thaçi 2, “pa ndonjë përgatitje serioze, nuk kishte shans të përfundonte ndryshe”.
Lexo edheJa si do të jetë moti këtë fundjavë
“Nga atëherë deri më sot dialogu nuk u përdor asnjëherë si mjet për forcimin e shtetit të Kosovës dhe nxjerrjen e Serbisë nga veriu i vendit, por u përdor nga Thaçi për forcimin e pushtetit të tij personal dhe kthimin e Serbisë në Kosovë, përmes Listës serbe”, ka theksuar Krasniqi gjatë një konference për media.
Kundër dialogut me Serbinë nga Franca është deklaruar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sipas të cilit Prishtina po dëshmon inferioritet dhe përulje ndaj Beogradit.














