Caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër Muharrem Ibrajt, të dyshuar për krime luftë – I bëhet thirrje të dorëzohet

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, njofton opinionin publik dhe të gjitha mediat se ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.17/2025, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës – PPS.nr.32/2010 e datës 19.03.2025 kundër të akuzuarit Muharrem Ibraj, për shkak të veprës penale Krime të luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Gjykata përmes kësaj komunikate i bën thirrje të akuzuarit Muharrem Ibraj që të paraqitet dhe të dorëzohet para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës, në mënyrë që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar të datës 28.09.2026. Gjithashtu, Gjykata u bën thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarit, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.
Njoftohet i akuzuari dhe i gjithë opinioni publik se seanca e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë, Hajvali, me datë 28.09.2026 në ora 09:30 në sallën D17 nga Kryetarja e Trupit Gjykues, Violeta Namani Hajra.
Lidhur me këtë çështje penale, aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në web-faqe të Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare.

Lexo edheU dha fjala e fundit për Vali Corleonen: Dy kërkesa të kundërta për fatin e tij në gjykatë












