Nevenka Tromp: Pas aktgjykimit të Hagës mund të pasojë një proces i gjatë apeli

Një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbetet e vështirë të parashikohet rezultati i procesit gjyqësor që ka zgjatur disa vjet. Përgjegjësia penale individuale, pesha e provave, pozita hierarkike e të akuzuarve, por edhe dimensioni politik që e ka shoqëruar këtë proces, janë ndër elementet që mund të ndikojnë në mënyrën se si do të interpretohet vendimi.
Në një intervistë për Radio Kosovën, studiuesja dhe ish-zyrtarja e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp, thotë se nuk sheh bazë të mjaftueshme për të parashikuar se cili prej katër të akuzuarve mund të dënohet. Ajo flet për tre skenarë të mundshëm të aktgjykimit, ndikimin që secili prej tyre mund të ketë në Kosovë dhe Serbi, si dhe për mundësinë që procesi të vazhdojë në procedurën e apelit.Tromp paralajmëron gjithashtu se, pavarësisht rezultatit të nesërm, vendimi mund të ketë pasoja të rëndësishme politike dhe shoqërore në Kosovë, ndërsa thekson se fragmentimi i mëtejshëm i shoqërisë rreth kësaj çështjeje do t’i shërbente, sipas saj, më së shumti Serbisë.
Pyetje: Ju keni thënë se është shumë e vështirë të parashikohet aktgjykimi. Tani që procesi gjyqësor ka përfunduar, si e shihni situatën? A keni parë ndonjë element që ju bën të besoni se një ose më shumë nga katër të akuzuarit mund të shpallen fajtorë?
Nevenka Tromp: Jo, nuk kam asnjë informacion të brendshëm dhe nuk mendoj se dikush tjetër mund ta ketë. Pra, të vetmit parametra mbi bazën e të cilëve mund të bëhet një analizë janë dy dënimet e mëparshme, në rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Nëse i shohim ato nga pikëpamja juridike, mund të vërejmë, duke u bazuar në peshën e dënimeve në këto dy rastet e para të Dhomave të Specializuara të Kosovës, se ekziston mundësia që të paktën njëri ose më shumë prej këtyre katër të akuzuarve të përfundojnë të dënuar dhe të marrin një dënim me burgim.Ky është i vetmi parametër që mund të përdorim kur bëhet fjalë për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe për praktikën gjyqësore që mund të zbatojmë. Nga kjo pikëpamje, bazuar në këto dy aktgjykime, ekziston mundësia që të paktën njëri nga katër të akuzuarit të dënohet me burgim.
Pyetje: Por, a vlerësoni se provat e paraqitura gjatë gjykimit kanë qenë të mjaftueshme për të vërtetuar përgjegjësinë penale individuale të secilit prej të akuzuarve? Apo shihni një ndryshim të rëndësishëm ndërmjet pozitës së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit?
Nevenka Tromp: Nëse tani dëshironi që unë të përcaktoj se cili prej këtyre katër personave, bazuar në prova, mund të dënohet, nuk mendoj se mund të jap një përgjigje të argumentuar dhe të besueshme. Duhet të kuptoni se provat e paraqitura në gjykimin e vetëm njërit prej të akuzuarve janë jashtëzakonisht të shumta. Imagjinoni sa e vështirë do të ishte për dikë jashtë gjykatës, pa pasur në dispozicion të gjitha mjetet dhe instrumentet e gjykatës për analizimin e provave, të bëjë një vlerësim dhe të parashikojë se si do të vendosin gjyqtarët.Mendoj se kjo është absolutisht e pamundur. Ajo që mendoj se është e rëndësishme të kuptohet dhe të mbahet parasysh, sa i përket pamundësisë për të bërë një parashikim të qëndrueshëm, është se ekzistojnë të paktën dy vektorë ose variabla që do të ndikojnë në aktgjykim.I pari është aspekti juridik, i bazuar në vetë procesin gjyqësor, por edhe në praktikën gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe në praktikën e një numri të madh gjykatash të tjera, si ICTY, ICTR dhe ICC.Por, në rastin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një variabël dhe faktor shumë i rëndësishëm është edhe politizimi dhe lloji i ndikimeve politike që kanë qenë të pranishme dhe që kanë çuar në krijimin e kësaj gjykate, në ngritjen e aktakuzave ndaj gjashtë të akuzuarve dhe, përfundimisht, në ndikimin e mundshëm mbi rezultatin.Këto çështje të politizuara janë shumë, shumë të vështira për t’u hulumtuar, por ne e dimë se ato ekzistojnë. Dhe nëse i vendosni së bashku aspektin juridik të vlerësimit të provave në kontekstin e praktikës gjyqësore, me variablën dhe ndikimet politike, atëherë nuk mendoj se dikush do të guxonte të parashikonte se çfarë do të ndodhë nesër.
Pyetje: Sa mendoni se mund të jetë vendimtar për gjyqtarët e Gjykatës Speciale dallimi ndërmjet përgjegjësisë politike dhe hierarkike, nga njëra anë, dhe përgjegjësisë penale individuale, nga ana tjetër?
Nevenka Tromp: Epo, përsëri, nëse shikoni pozitat e katër të akuzuarve që tani presin aktgjykimin dhe i vetmi krahasim konkret që mund të bëjmë është me rastet e Mustafës dhe Shalës, ata nuk kanë qenë në pozitat më të larta në UÇK. Kanë qenë në pozita komanduese, në nivel që do ta quanim komandantë të nivelit të mesëm.Dhe më pas shohim se ata u shpallën fajtorë për disa nga akuzat e aktakuzës. Por ajo që është e rëndësishme të theksohet këtu është se, kur kemi të bëjmë me veprime kriminale të personave të akuzuar, të cilët kanë qenë në terren dhe kanë marrë pjesë në luftime dhe në aksione, atëherë, në nivelet e ulëta dhe të mesme, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet asaj që ka ndodhur dhe personit përgjegjës.Por, në momentin që ngjiteni më lart në hierarkinë e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë distanca ndërmjet personit në krye të UÇK-së dhe krimeve të kryera në terren bëhet shumë më e madhe. Prandaj, në këto raste, nuk do të jenë aq shumë vetë aktet kriminale ato që do të përcaktojnë përgjegjësinë, sa qëllimi kriminal, qëllimi i përbashkët.Pra, a kanë bashkëpunuar apo komplotuar për kryerjen e krimeve me qëllim të arritjes së objektivave të tyre politike?Kur vijmë te kjo çështje, nuk kemi shembuj të ndonjë komandanti të nivelit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të jetë dënuar ndonjëherë për krime. Dhe të mos harrojmë se në Tribunalin e Jugosllavisë ka pasur dy raste: Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj u shpallën të pafajshëm, pikërisht për këto arsye. Prokuroria nuk arriti të krijonte një lidhje ndërmjet krimeve të pretenduara në terren dhe qëllimit kriminal të udhëheqjes për kryerjen e këtyre krimeve.Prandaj, ata u shpallën të pafajshëm. Kështu që, nëse do t’i rikthehesha propozimit tuaj – sa më lart në hierarkinë e UÇK-së të jesh, cilat janë mundësitë që udhëheqësit e nivelit të lartë të dënohen? – do të thosha se i vetmi material krahasues mbi të cilin mund të nxjerrim përfundime janë rastet Limaj dhe Haradinaj në ICTY, ku ata u shpallën të pafajshëm.Megjithatë, duke e thënë këtë, një nga mënyrat se si mund të veprojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës është të këmbëngulin se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale në nivelin më të lartë të UÇK-së, me qëllim të realizimit të objektivave të tyre përmes kryerjes së krimeve.Nëse kjo ndodh, do të ketë një ndikim shumë të madh në Kosovë si shtet i pavarur, sepse do të sfidonte premisat mbi të cilat qëndrojnë Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe pavarësia e Kosovës.Në të njëjtën kohë, kjo do të sfidonte edhe parimet juridike dhe mënyrën se si prokuroria, e më pas gjyqtarët, do t’i lidhnin krimet e pretenduara në terren me qëllimin kriminal të atyre që organizuan vetëmbrojtjen përmes UÇK-së dhe mënyrën se si e zhvilluan këtë luftë në vitet ’90. Dhe, sigurisht, një vendim i tillë do të sillte shumë rezistencë në Kosovë.
Pyetje: Zonja Tromp, kur thoni se kjo do ta sfidonte pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, çfarë nënkuptoni? Çfarë lloj sfidash mund të presim?
Nevenka Tromp: Dhomat e Specializuara të Kosovës, si gjykatë, janë themeluar në një periudhë negociatash shumë të rëndësishme politike dhe ekziston një shkallë e lartë sigurie për të thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës ishin rezultat i përpjekjes së komunitetit ndërkombëtar për ta qetësuar Serbinë dhe për ta mbajtur atë në rrugën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.Në atë kohë, pra, diku nga viti 2008 deri më 2013, komuniteti ndërkombëtar besonte se, nëse Serbisë do t’i bëheshin disa lëshime, ajo përfundimisht do ta njihte pavarësinë e Kosovës.Dhe në këtë proces të qetësimit të Serbisë, komuniteti ndërkombëtar ra dakord të themelonte një gjykatë që do të merrej me krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarë, përkatësisht udhëheqës të UÇK-së.Pasi gjykata u themelua, Serbia dhe Beogradi ishin tashmë të kënaqur dhe, në thelb, u tërhoqën nga procesi i normalizimit. Ata e përdorën të gjithë këtë proces për t’i bindur shtetet e tjera se kishin qenë të nxituara ta njihnin në mënyrë bilaterale pavarësinë e Kosovës. Dhe pati disa tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh, nën presionin diplomatik dhe fushatën e zhvilluar nga Serbia.
Prandaj, nëse ndonjëri prej këtyre udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallej fajtor për krime të kryera gjatë luftës së viteve 1998–1999, Serbia sigurisht që do ta përdorte këtë edhe më tej për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe legjitimitetin e luftës çlirimtare të Kosovës.Dhe njohjet e mëtejshme bilaterale, si dhe rruga e mëtejshme e Kosovës drejt integrimit në institucionet ndërkombëtare dhe në rendin liberal ndërkombëtar, sigurisht që do të ndikoheshin nga ajo që do të ndodhë nesër.
Pyetje: Zonja Tromp, a mendoni se Perëndimi, do të thosha, po lejon ose ka lejuar shfaqjen e një narrative të re, përmes së cilës Serbia po përpiqet gjithnjë e më shumë ta riformësojë, madje edhe ta përmbysë, kuptimin historik të së kaluarës së saj gjenocidale?

Lexo edheMarta Kos “selam” Vuçiqit: Glorifikimi i Mlladiqit nuk ka vend në BE
Nevenka Tromp: Shikoni, Perëndimi, siç e quani ju, Perëndimi kolektiv, siç e quajmë ne, ose komuniteti ndërkombëtar – në rastin tuaj, komuniteti ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar dhe i mbështetur përmes rolit të tyre në të ashtuquajturën Quintë – pra, shtetet liberale demokratike që mbështetën luftën çlirimtare të Kosovës, që mbështetën qeverisjen e Kosovës pas luftës dhe që mbështetën gjithashtu pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008 e tutje.Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm se çfarë nënkuptojmë me “Perëndimin”.Do t’ju them diçka dhe këtë do t’ia thosha edhe audiencës suaj në Kosovë: nuk është detyrë e këtij Perëndimi kolektiv, abstrakt, që të merret me narrativat. Nëse Serbia po arrin me sukses ta përmbysë narrativën e agresorit dhe mbrojtësit, të autorit të krimit dhe viktimës, në favor të vet, atëherë përgjegjësinë për këtë nuk mund t’ia kaloni Perëndimit.Ishte përgjegjësi e elitave shoqërore, politike dhe të tjera të Kosovës që të kujdeseshin për një narrativë e cila do ta pasqyronte në të gjitha aspektet vuajtjen e popullit të Kosovës, jo vetëm nga vitet ’80 e këtej, por që nga viti 1945, dhe më pas ta institucionalizonin atë në mënyrë të tillë që kjo histori të përfshihej në tekstet shkollore, të pasqyrohej përmes monumenteve, muzeve dhe librave akademikë në të gjitha gjuhët.Prandaj, nuk mendoj se është përgjegjësi e këtij Perëndimi kolektiv dhe abstrakt që të kujdeset për narrativën serbe apo atë kosovare rreth luftës. Pronësia mbi rrëfimin historik duhet t’u takojë atyre për të cilët këto histori kanë rëndësi.Në thelb, pyetja juaj është: si ka mundur Serbia ta avancojë këtë narrativë të përmbysur, duke barazuar – ose duke u përpjekur dhe, në një masë, duke ia dalë – të vërë në dyshim narrativën sipas së cilës Serbia, shteti serb dhe, në atë kohë, shteti jugosllav, po kryenin mizori masive ndaj qytetarëve të vet, shqiptarëve të Kosovës, në një kohë kur Kosova ishte ende pjesë e Serbisë?Serbia, përmes veprimeve shumë të drejtpërdrejta dhe të orientuara, po e përmbyste narrativën e drejtësisë tranzicionale të konsoliduar në aktgjykimet e Tribunalit të Jugosllavisë, përfshirë çështjet Milutinović dhe Xhorxhviqi, ku u konstatua se individë serbë që përfaqësonin institucionet e Serbisë kishin kryer mizori masive ndaj shqiptarëve të Kosovës.Këto aktgjykime u pranuan nga shqiptarët e Kosovës, sepse pasqyronin atë që kishte ndodhur realisht: kush ishte autori i krimeve dhe kush ishte agresori.Dhe që nga atëherë, Serbia punoi për atë që ne e quajmë narrativë të drejtësisë post-tranzicionale. Ajo u përpoq, përmes të gjitha mjeteve të mundshme – përfshirë ato kulturore, politike, diplomatike, sociale dhe akademike, si dhe përmes mënyrës së trajtimit të historisë – ta përmbyste ose ta korrigjonte narrativën e drejtësisë tranzicionale mbi përgjegjësinë dërrmuese të Serbisë për krimet e ndodhura.Në të njëjtën kohë, shoqëria kosovare nuk ishte aq e angazhuar në krijimin e narrativës së vet post-tranzicionale, përmes së cilës do të konsolidonte edhe një herë gjithçka që pasqyronte të vërtetën.
Dhomat e Specializuara të Kosovës ishin një kambanë alarmi. Në vitin 2015, kur kjo gjykatë u bë zyrtare dhe u vendos që procedurat të zhvilloheshin në Hagë, në Holandë, shoqëria kosovare reagoi dhe u kthye pas duke pyetur: “Hej, çfarë po ndodh atje?”Dhe ajo që duhej të bënit në atë moment ishte të kompensonit vonesën dhe të reagonit.Narrativa juaj tani është reaktive ndaj realitetit të drejtësisë post-tranzicionale të krijuar nga Serbia, ku ata, të paktën në një numër shumë të madh shtetesh, kanë krijuar idenë se: “Po, Serbia ka bërë gjëra të këqija në Kosovë, por, o Zot, edhe pala tjetër ka kryer disa krime.”
Pyetje: Nga këndvështrimi juaj, a mendoni se Kosova, si shoqëri dhe edhe në nivel politik, ka treguar një lloj naiviteti, ose është shfaqur naive, duke vendosur shumë besim te Dhomat e Specializuara dhe duke besuar fuqishëm se drejtësia ndërkombëtare do të prodhonte domosdoshmërisht rezultatin që shumë njerëz në Kosovë prisnin?
Nevenka Tromp: Epo, nëse kthehemi te periudha nga viti 2010 deri në vitin 2015, në kohën kur kishte shumë hetime, përpara se gjykata të themelohej zyrtarisht, atëherë shohim se, pasi Kosova u rreshtua me komunitetin ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, Kosova bashkëpunoi dhe dëshironte të ishte pjesë e rendit liberal ndërkombëtar.Kur Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar ushtruan presion mbi udhëheqjen e atëhershme të Kosovës që ta pranonte themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, madje deri në atë pikë sa Kosova duhej ta ndryshonte Kushtetutën e saj për të transferuar të ashtuquajturën gjykatë të Kosovës në një shtet të huaj, kuptimi im është se, natyrisht, udhëheqja e Kosovës duhej të thoshte “po”.Kjo sepse drejtësia penale ndërkombëtare ishte bërë një pjesë kaq e rëndësishme e këtij rendi liberal ndërkombëtar dhe Kosova dëshironte të ishte pjesë e tij.Angazhimi i Kosovës ndaj institucioneve demokratike, sistemit dhe botës demokratike, si dhe ndaj aleatëve të saj, ishte i kuptueshëm. Dhe, sapo kërkesa ishte bërë, do të ishte shumë e vështirë që Kosova të thoshte: “Jo, jo, jo, nuk e dua.”Por, nga ana tjetër, pasi e pranoi, ekzistonte një mirëkuptim ose shpresë nga ana e udhëheqjes së Kosovës se, sapo gjykata të fillonte të funksiononte, ajo do të ishte në gjendje të bënte dallimin midis agresionit dhe dhunës shtetërore ndaj qytetarëve të vet – në rastin e Serbisë dhe më pas të Republikës Federale të Jugosllavisë – dhe nesh, grupeve të armatosura të organizuara në mënyrë të pavarur, të cilat ishin krijuar për të mbrojtur shtëpitë tona, fshatrat tona dhe qytetet tona.Prandaj, ekzistonte dhe duhej të ekzistonte një besim fillestar në sistem, sepse e drejta penale ndërkombëtare dhe, shumë qartë, e drejta ndërkombëtare humanitare, bëjnë një dallim të qartë midis agresionit dhe të drejtës së atyre që janë sulmuar për të mbrojtur veten.
Pyetje: Çfarë parashikoni se mund të jetë vendimi? Ose cilat janë skenarët më të mundshëm që mund të presim për nesër?
Nevenka Tromp: Nëse i zbatojmë këto dy variabla, këta dy vektorë, për të analizuar çdo aktgjykim të mundshëm – pra, elementin juridik dhe elementin politik – atëherë skenari i parë do të ishte që të katër të shpallen të pafajshëm. Skenari i dytë do të ishte që të katër të shpallen fajtorë. Dhe skenari i tretë do të ishte që disa prej tyre të shpallen fajtorë dhe disa të pafajshëm.Nëse pastaj u rikthehemi këtyre skenarëve, në skenarin e parë, kur të gjithë do të shpallen të pafajshëm, atëherë do të shihni se argumentet juridike kanë mbizotëruar. Nëse të gjithë do të shpalleshin fajtorë, atëherë do të shihnit se argumentet politike kanë mbizotëruar.
Ndërsa skenari më i mundshëm është një kombinim i elementeve juridike dhe politike: disa do të shpallen të pafajshëm, në mënyrë që në Kosovë të thuhet: “Të paktën drejtësia u vu në vend.” Ndërsa në Serbi do të thoshin: “Epo, siç e shihni, edhe në këto gjykata gjërat mund të shkojnë keq.”Ata që do të shpalleshin fajtorë do të perceptoheshin në Kosovë me reagimin: “Gjykata ka bërë padrejtësi.” Ndërsa në Serbi kjo do të shihej si një triumf i madh, sepse Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, do të thoshte: “E shihni, ne kishim të drejtë gjatë gjithë kohës dhe më në fund pamë se drejtësia u vu në vend.”Dhe, pavarësisht nëse do të ketë dënime apo pafajësi, Aleksandar Vuçiq do ta përdorë këtë në fushatën e tij parazgjedhore, sepse zgjedhjet në Serbi mbahen më 25 tetor.Prandaj, për Serbinë nuk është edhe aq e rëndësishme se kush dënohet dhe kush shpallet i pafajshëm, sepse vetë ekzistenca e Dhomave të Specializuara të Kosovës i mjafton Serbisë për ta argumentuar qëndrimin e saj, për të vënë në dyshim legjitimitetin dhe ligjshmërinë e luftës së Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës.Ndërsa reagimi në Kosovë do të ishte krejtësisht ndryshe, sepse çfarëdo që të ndodhë, përveç rastit kur të gjithë shpallen të pafajshëm, kjo do ta ndajë shoqërinë kosovare mes atyre që do ta konsideronin skandaloze që ata janë shpallur fajtorë dhe atyre që në Kosovë do të thoshin: “Epo, në luftë këto gjëra mund të ndodhin, duhet të vazhdojmë përpara.”Dhe kjo, mendoj, është një pikë shumë e dobët nga këndvështrimi politik, ose mund të destabilizojë Kosovën.Sepse, çfarëdo që të ndodhë në Hagë, mesazhi im për shoqërinë kosovare është që të qëndrojë e bashkuar. Fragmentimi i mëtejshëm i politikës dhe shoqërisë kosovare për shkak të kësaj gjykate, mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të UÇK-së, në fund do t’i sjellë përfitime vetëm Serbisë.Prandaj, është shumë e rëndësishme që Kosova të jetë e bashkuar dhe ta trajtojë këtë sfidë të radhës si një interes shtetëror të nivelit më të lartë, duke u përpjekur ta menaxhojë në atë mënyrë që të mos çojë në përçarje të mëtejshme politike në vend.
Pyetje: Bazuar në këta tre skenarë që paraqitët, sa të mundshme janë që, pavarësisht vendimit të nesërm, çështja të vazhdojë përmes procedurës së apelit dhe të mos kemi menjëherë një përfundim përfundimtar? Si zhvillohen procedurat?
Nevenka Tromp: Jam shumë e kënaqur që e bëtë këtë pyetje të fundit, sepse kam lexuar në gazetat në gjithë Kosovën se komuniteti ndërkombëtar po përpiqej ta qetësonte shoqërinë kosovare, duke thënë: “Nëse ka dënime, mos dilni në rrugë, mos protestoni shumë, sepse do të ketë apel.”Duhet ta kuptoni – dhe mendoj se ky mund të jetë mesazhi më i rëndësishëm i kësaj interviste për të gjithë ju – se apeli nuk merret më me faktet.Në apel, e vetmja gjë që gjyqtarët lejohen dhe mund të bëjnë është të verifikojnë nëse zbatimi i ligjit ndaj fakteve të paraqitura përmes provave përputhet me standardet juridike.Prandaj, pritja e apelit shërben thjesht që komuniteti ndërkombëtar të fitojë më shumë kohë për ta qetësuar shoqërinë kosovare, në mënyrë që të mos ketë protesta në rrugë, sepse të gjithë politikanët janë shumë, shumë të shqetësuar dhe nervozë përballë fuqisë së rrugës dhe njerëzve që ngrihen në protesta.Dhe kjo kohë që fitohet duke pritur apelin mund të zgjasë me vite, e dini. Dhe kush e di se çfarë do të sjellë apeli? Është absolutisht e mundur që apeli ta konfirmojë gjithçka që është vendosur në shkallën e parë të drejtësisë.Prandaj, ju në Kosovë nuk keni interes që t’ju thuhet sërish: “Prisni edhe një moment tjetër të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë”, sepse mos harroni se po flasim për gjashtë persona – në këtë rast, për katër – të cilët do ta kalojnë jetën e tyre nga aktgjykimi i shkallës së parë deri te aktgjykimi i shkallës së dytë, pra aktgjykimi i apelit, në burg, të privuar nga liria.
Ata ishin udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan dhe rrezikuan jetën e tyre për lirinë që Kosova e ka sot. Dhe është krejtësisht cinike të thuhet: “Prisni aktgjykimin”, ndërkohë që, nëse dënohen nesër, edhe ata do të presin aktgjykimin e apelit në burg. Gjë që unë shpresoj të mos ndodhë.












