“Nuk kanë pasur asnjë arsye të qëndrojnë gjashtë vite këtu”, thotë djali i Jakup Krasniqit nga Haga

Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe njërit prej krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi ka deklaruar se pret një vendim lirues nga Gjykata Speciale në Hagë.
Krasniqi ka thënë se familjarët kanë udhëtuar drejt Hagës me besimin se vendimi do të jetë në favor të krerëve të UÇK-së.
“Dje kemi ardhur në Hagë, besoj që vendimi ka me qenë lirues. Besojmë në luftën e drejtë të UÇK-së dhe luftën e drejtë të krerëve të saj, kështu që presim një vendim lirues”, ka deklaruar ai për Tëvë1.
Ai ka vlerësuar lart moralin e të akuzuarve, duke thënë se ata, sipas tij, u kanë dhënë më shumë forcë familjarëve sesa anasjelltas.
“Morali e kanë shumë të fortë, më shumë na kanë dhënë moral ata neve sesa ne atyre”, është shprehur Krasniqi.
Duke folur për gjendjen e babait të tij, Altini ka thënë se Jakup Krasniqi është mirë me shëndet dhe se të akuzuarit vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar.

Lexo edheKDI: Katër çështje kushtetuese mbeten të hapura edhe pas konstituimit të Kuvendit
“Si familjar, para një muaji e kam vizituar babain, me shëndet është mirë. Janë të fortë dhe bashkë, presim me u lirua më 16 shtator”, ka thënë ai.
Krasniqi ka deklaruar gjithashtu se beson se nuk ekzistojnë prova që e njollosin luftën e UÇK-së.
“Nuk ka asnjë provë e dëshmi që lufta e UÇK-së u kanë jo e pastër. Lufta e UÇK-së u kanë e pastër, nuk kanë pasur asnjë arsye me nejt këto gjashtë vite”, ka deklaruar Krasniqi.












