Nxënësit dhe mësimdhënësit e gjashtëmbëdhjetë shkollave nga 14 komuna të ndryshme, që nga 5 shtatori do të mund të zhvillojnë mësimin “online” në shkollë dhe në shtëpi.
Këtë ua ka mundësuar projekti “Më mëso mua”, i cili ka filluar të zbatohet për herë të parë në Kosovë nga Qendra e Arsimit e Kosovës (KEC) në marrëveshje me komunat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë projekt e kanë mirëpritur drejtues të shkollave, duke thënë se nga ajo që kanë parë në trajnime, rezulton se mësimi “online” do ta bëjë shkollën më atraktive për nxënësit, si dhe si do të ndikojë në shfrytëzimin më racional të orës mësimore.
Megjithatë, ka një dozë dyshimi nëse mësimi “online” mund të ndikojë në pasivizimin e mësimdhënësve, duke e kthyer mësimin në rutinë, gjë e cila mund të bëjë që edhe nxënësit të humbin interesimin për mësim.
Por, implementues të projektit thonë se ai është treguar shumë i suksesshëm në vendet ku është zbatuar.
Melinda Mula, eksperte e arsimit dhe menaxhere e projektit “Më mëso mua” në KEC, ka thënë se ky projekt fillimisht do të zbatohet në 14 komuna dhe në 16 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta në mbarë Kosovën.
Komunat në të cilat do të realizohet projekti janë: Prishtina, Peja, Gjakova, Vushtrria, Istogu, Malisheva, Rahoveci, Podujeva, F. Kosova, Drenasi, Lipjani, Shtimja, Hani i Elezit dhe Suhareka.