Ndodh edhe kjo: Arkivi i Kosovës punëson konsulent për recepsion me pagë vjetore 18 mijë euro

Arkivi i Kosovës ka angazhuar një konsulent për recepsion me pagë vjetore mbi 18 mijë euro, vendim të cilin ky institucion e ka arsyetuar si nevojë për të mbuluar mungesën e përkohshme të një punonjëseje.
Është institucioni kryesor që merret me mbrojtjen, ruajtjen dhe arkivimin e dokumenteve shtetërore.
Së fundi, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka publikuar një njoftim për dhënien e kontratës për angazhimin e një konsulenti në recepsion në këtë agjenci.
Sipas kontratës, të cilën e ka siguruar T7, për këtë pozicion është punësuar Ardita Toverlani, me një pagë totale prej 18 mijë e 810 euro.
Megjithatë, njohësit e prokurimit konsiderojnë se kjo kontratë duhet të anulohet, pasi nuk është në përputhje me rregulloren.

Lexo edheDrejtori jep detaje për aksidentin me fasadë në Fushë Kosovë
Ardit Dragusha, hulumtues në Democracy Plus, deklaron se kjo mënyrë e kontraktimit paraqet gjithashtu një abuzim të mundësisë ligjore për kontraktimin e konsulencave.
Në anën tjetër, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës e ka arsyetuar vendimin për mbulimin e mungesës së përkohshme të një punonjëseje.
ASHAK deklaron se çdo rishqyrtim eventual për anulimin e kësaj kontrate do të bëhet vetëm mbi bazën e vlerësimit administrativ dhe ligjor.













