Murati pasi e votuan nënkryetaren e Listës Serbe: Gjykata Kushtetuese ka thënë se s’duhet të ketë kandidat tjetër

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës se procesi është përmbyllur me mungesën e njërit prej nënkryetarëve, pasi Partia Demokratike e Kosovës nuk propozoi kandidat dhe nuk mori pjesë në seancë.
Murati tha se PDK-ja, pavarësisht se për javë të tëra kishte kërkuar konstituimin e Kuvendit, në ditën kur u bë i mundur ky proces vendosi ta bojkotojë seancën.
“Seanca e Kuvendit të sotëm po përmbyllet, pra po përmbyllet me sukses. Problemi, siç e dini, sot nuk ka qenë tek seanca e konstituimit. Problemi ka qenë tek çështja e presidentit, gjë e cila herën e kaluar, pra mandatin e kaluar, na dërgoi në zgjedhje. Në vullnet, pra për të zgjidhur këtë çështje, ne jemi munduar dhe kemi konsideruar që është e nevojshme që para konstituimit të ketë një marrëveshje”, tha Murati.
Ai kritikoi PDK-në për mospjesëmarrjen në seancë.
“Kuvendi u konstitua me gjithsej me një mungesë të një nënkryetari për shkak të refuzimit nga grupi parlamentar i PDK-së për të propozuar kandidatin e tyre apo kandidaten e tyre për nënkryetar. Me keqardhje mund ta them, sepse kemi parë që për sa e sa javë grupi parlamentar i PDK-së ka protestuar para qeverisë dhe në forma të tjera ka kërkuar në vazhdimësi, pra që të propozohet dhe të konstituohet Kuvendi. Ndërkaq në ditën kur Kuvendi konstituohet, ata vendosin të refuzojnë përgjegjësinë e tyre dhe të bojkotojnë seancën konstituive”, u shpreh ai.
Sipas Muratit, LVV-ja ishte e gatshme të votonte kandidatët e partive opozitare për të zhbllokuar procesin.
“Kjo pra shihet se sa seriozisht e kanë pasur, e madje edhe në situatën kur ne u pajtuam që për hir të zhbllokimit të procesit dhe të ecim tutje, duke parë destruktivitetin e tyre, u pajtuam që të votojmë kandidatët e tyre, pavarësisht pra edhe nëse nuk pajtoheshim me ta apo nëse nuk kishim dakordësi politike paraprake siç e kërkon Gjykata Kushtetuese”, tha Murati.
Ai iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e grupeve parlamentare për të propozuar anëtarët e kryesisë së Kuvendit.
“Pra besoj u kujtohet që Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar, kur ne propozonim kandidaten tonë për kryetare Albulena Haxhiu të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka thënë që e drejta pra nuk mund të mohohet, e drejta kushtetuese ekziston për grupet parlamentare që të propozojnë anëtarët e kryesisë. Megjithatë, u takon grupeve parlamentare që të arrijnë dakordësinë politike për t’i siguruar 61 vota”, tha ai.
Murati shtoi se partitë e tjera nuk kishin arritur dakordësi me LVV-në, pavarësisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti.
“Një gjë të tillë pra nuk e kanë bërë grupet e tjera parlamentare në raport me Lëvizjen Vetëvendosje, madje ka pasur ftesë nga Kryeministri Kurti që të takohen dhe të arrijnë një dakordësi të tillë, e patë që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pra nuk janë përgjigjur dhe nuk ka pasur dakordësi. Megjithatë ne vendosëm që të shkojmë tutje që të mos bllokohet procesi, pra që të kemi Kuvend të konstituar dhe institucionet të zgjidhen”, përfundoi Murati.
Ndërkaq, lidhur me votimin e deputetit nga Lista Serbe dhe qëndrimin e LVV-së ndaj kësaj partie, Murati tha se prioritet për Vetëvendosjen ka qenë shmangia e zgjedhjeve të reja dhe sigurimi i një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
“Për ne në vazhdimësi çdo gjë ka qenë e rëndësishme pra që të sigurohemi se zgjidhet Presidenti i vendit. Se ju kujtohet herën e kaluar s’kemi pasur fare problem, pra Kuvendi dhe Qeveria ishin formuar në afat rekord. Problemi pastaj ndodhi siç e patë tek Presidenti, sepse opozita nuk qëndroi në sallë. Dhe e dërguan vendin në zgjedhje”, tha Konjufca.
Ai tha se pikërisht për të shmangur përsëritjen e një skenari të tillë, LVV-ja kishte kërkuar dakordësi politike para konstituimit të Kuvendit.

Lexo edheXhemaili: Asgjë s’e dallon Vujoviqin nga Simiqi, ka deklarata skandaloze kundër Kosovës
“Duke dashur ta evitojmë me çdo kusht shkuarjen përsëri në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar që të ketë një dakordësi paraprake, pra para konstituimit të Kuvendit dhe para fillimit të rrjedhës së afateve, në mënyrë që të evitohet shkuarja në zgjedhje përsëri”, u shpreh ai.
Ai tha se LVV-ja kishte arritur marrëveshje me LDK-në, por se ajo nuk ishte mbështetur nga të gjithë deputetët e kësaj partie.
“Në kuadër të kësaj, pra kemi bërë një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo siç e keni parë nuk është marrëveshje e plotë në kuptimin për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës apo deputetë të caktuar të saj kanë shprehur rezervat e tyre përkitazi me këtë marrëveshje dhe kandidatit konsensual, pra profesor doktor Bekim Sejdiut”, tha ai.
Sipas tij, LVV-ja kishte vendosur të mbështeste kandidatët e partive të tjera për nënkryetarë, me qëllim që të krijoheshin kushtet për zgjedhjen e presidentit.
“Pra njëra mënyrë ka qenë kjo përmes dakordimit politik, ku ne si Lëvizje Vetëvendosje 53 votat tona i japim për kandidatët e tyre për nënkryetar, nëse ata dakordohen që të votojnë së paku edhe kundër, pra të marrin pjesë në seancë në mënyrë që të mundësohet zgjedhja e Presidentit. Kjo ka qenë arsyeja”, deklaroi ai.
Murati tha se pas refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në proces, LVV-ja vendosi të vazhdojë me konstituimin e Kuvendit.
“Mirëpo kur e pamë që ata janë të përkushtuar të vazhdojnë me bllokadë, pra që assesi nuk janë të interesuar të konstituojnë Kuvendin, ne nuk jemi iracionalë. Pra ne jemi racionalë dhe vendosëm që megjithatë Kuvendi të konstituohet dhe të ecim tutje, me shpresën që ky hap i vullnetit të mirë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje pra të shihet si i tillë dhe deputetët e tjerë të opozitës të reflektojnë në mënyrë që në seancën kur votohet për Presidentin ata të qëndrojnë në sallë dhe të japin votën e tyre e të mos e çojnë vendin në zgjedhje”, tha ai.
I pyetur për votimin e deputetit nga Lista Serbe, Konjufca tha se pozita e nënkryetarit nga komuniteti serb është e përcaktuar me Kushtetutë dhe se, sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë këtë të drejtë Listës Serbe.
“Siç e dini, çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb, pra jo shumicë serb, është e përcaktuar në Kushtetutë. Ne gjatë vitit të kaluar, pra në legjislaturën e vitit 2015, kemi insistuar dhe kemi proceduar tutje me votimin e zotëri Nenad Rašić”, tha ai.
Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se, përderisa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb, posti i nënkryetarit i takon kësaj liste.
“Por siç e dini, në fillim të këtij viti, pra të vitit 2026, ka qenë Gjykata Kushtetuese ajo që ka thënë që nuk duhet të ketë kandidat tjetër përderisa Lista Serbe e ka shumicën, nënkryetari i Kuvendit i takon Listës Serbe. Pra Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, tha ai.
Ai theksoi se LVV-ja, në legjislaturat e kaluara, kishte votuar kundër kandidatëve të Listës Serbe, por se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte përcaktuar ndryshe përbërjen e kryesisë.
“Dhe ne, siç e dini, kemi insistuar, pra kemi votuar kundër të gjithë kandidatëve nga Lista Serbe në legjislaturat e kaluara, në mënyrë pra që të arrijmë tek kandidati i vetëm që nuk ishte nga Lista Serbe nga komuniteti serb jo shumicë. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në fillim të këtij viti me atë gjykim të dhënë ka vendosur që pozita e tillë i takon Listës Serbe për aq sa Lista Serbe ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb jo shumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.












