Kurti: Sapo PDK-ja ta propozojë Çitakun, ne menjëherë do ta votojmë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si të rëndësishëm konstituimin e Kuvendit, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme ta votojë Vlora Çitakun për nënkryetare sapo PDK-ja ta propozojë atë.
Kurti tha se vendimi për të mbështetur kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit është marrë në mbledhjen e mbrëmshme të LVV-së.
“Mbrëmë kemi pasur një mbledhje të vështirë të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën me shumicë votash kemi marrë vendim për t’i votuar kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e PDK-së së LDK-së, përkatësisht zonjën Vlora Çitaku dhe zotëri Kujtim Shalen. Shpresojmë që ky konstruktivitet i yni do të reflektojë edhe tek pjesëmarrja në votim dhe vota qoftë edhe kundër për president, në mënyrë që të mos shkojmë në zgjedhje të reja”, tha Kurti.
Ai tha se posti i nënkryetarit nga radhët e PDK-së i takon kësaj partie dhe se LVV-ja është e gatshme ta votojë Çitakun.
“U bë mirë që u konstituua Kuvendi, nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë”, u shpreh ai.

Lexo edhePas konstituimit të Kuvendit, sot pritet të mbahet seanca për formimin e Qeverisë
Kurti e uroi konstituimin e Kuvendit, duke thënë se legjislatura e 11-të është konstituuar rreth tre muaj pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Urime të gjithëve konstituimi i Kuvendit. Pra, përafërsisht 3 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, u konstituua Kuvendi i Republikës për legjislaturën e 11-të. Ndërkaq, ju e dini që në vitin e kaluar janë dashur 8 muaj nga zgjedhjet që të konstituohet Kuvendi. Nga 8 muaj tash e kishim 3 muaj, natyrisht do të ishte më mirë që të bëhej edhe më herët, por urime të gjithëve se megjithatë është një e arritur e cila tash duhet të vazhdojë me formim qeverie dhe me zgjedhje të presidentit, për çfarë e kemi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Kurti. /Lajmi.net/












