VV propozon Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapin e parë drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës, duke propozuar Albin Kurtin për mandatar për formimin e Qeverisë.
Propozimi i është dorëzuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një dokumenti të datës 13 shtator 2026, të nënshkruar nga kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.
Në dokument thuhet se propozimi bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Vetëvendosje argumenton se, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve, ajo ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
Në dokument, VV-ja i propozon Haxhiut që Albin Kurti të mandatohet për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Lexo edheKurti: Sapo PDK-ja ta propozojë Çitakun, ne menjëherë do ta votojmë
Propozimi vjen menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, proces që u përmbyll sot me zgjedhjen e nënkryetarëve.
Ndërkohë, PDK-ja nuk mori pjesë në seancën e sotme dhe ka paralajmëruar se do ta kontestojë procesin në Gjykatën Kushtetuese. /Lajmi.net/













