Maqedonci: Prania e KFOR-it në Urën e Ibrit po përshtatet sipas përmirësimit të sigurisë – Serbia po krijon perceptim të rremë për krizë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ndryshimi gradual i pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit lidhet me përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe forcimin e institucioneve vendore.
Në një postim në Facebook, Maqedonci ka thënë se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë zhvilluar kapacitete profesionale, ndërsa bashkëpunimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i afërt, transmeton lajmi.net.
“Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se ky ndryshim është rezultat i vlerësimeve profesionale të situatës në terren dhe, sipas tij, nuk nënkupton rrezikim të sigurisë për qytetarët apo komunitetet në Kosovë.
“Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Maqedonci ka shtuar se institucionet kosovare të sigurisë janë forcuar ndër vite, ndërsa koordinimi me misionin e NATO-s në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i vazhdueshëm.

Lexo edheIbrahimi: Protestojmë më një shtator për shkak se nuk po gjejmë dialog me qeverinë
“Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, ka shkruar ministri në detyrë.
Duke iu referuar deklaratave nga lidershipi serb, Maqedonci ka thënë se përpjekjet për ta paraqitur përshtatjen e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb nuk pasqyrojnë gjendjen reale të sigurisë në Kosovë.
“Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”, ka përfunduar Maqedonci./lajmi.net/












